“Do të mërzitem me Ramën nëse nuk i kthen borxhin Elbasanit”

Këtë të enjte u zhvillua Asambleja Kombëtare e PS-së, ku kryeministri Edi Rama prezantoi kabinetin e ri qeveritar, si dhe organizimin e ri të partisë. Kreu i qeverisë konfirmoi si kryetar grupi parlamentar, Taulant Ballën, por nga ana tjetër i hoqi përgjegjësinë si Sekretar i Përgjithshëm të partisë. Kreu i qeverisë shprehu mirënjohjen për Ballën dhe tha se “ka mbajtur dy kunguj nën një sqetull” gjatë këtyre viteve.

Në përfundim të asamblesë, Balla foli për gazetarët, të cilët i kujtuan këtë deklaratë të kreut të qeverisë. Por Balla tha se është një çështje përgjegjësish dhe ai do të vazhdojë të jetë deputet i Elbasanit. Balla iu përgjigj pyetjes nëse ka hatërmbetje me kryeministrin, i cili nuk e vendosi në asnjë post në kabinetin qeveritar.

Balla tha se do të mërzitet me kryeministrin vetëm nëse ai nuk i kthen qarkut të Elbasanit investimet e nevojshme që i ka borxh pas fitimit të mandatit të tretë.

“E para është që jam deputet i Elbasanit, do të jem drejtues politik i Qarkut të Fierit. Duhet një punë e rëndësishme për të ruajtur performancën që Gramoz Ruçi ka pasur në atë qark. Mos ngatërroni detyrat që burojnë nga fakti i të qenit deputet dhe drejtuesit politik të qarkut.

Kjo nuk është çështje kungujsh, por përgjegjësish. Unë do të mërzitem me kryesocialistin Rama nëse Qarku i Elbasanit nuk do të marrë investimet e nevojshme të domosdoshme për t’i kthyer ato borxhe që PS i ka për mandatin e 3. Ka detyrimin më të madh në Qarkun e Elbasanit dhe do të jem në Kuvend për të siguruar që çdo investim publik, Elbasani të jetë në vëmendjen e parë të qeverisë. Unë jam sa përfaqësues edhe banor i qarkut të Elbasanit. Do të jem mes Elbasanit dhe Fierit. Të dielën ju pres në stadium se vetëm atje fiton kombëtarja”, tha Balla.

Detyra në krye të grupit parlamentar të selisë rozë sipas Ballës është shumë i rëndësishëm dhe ka përgjegjësi të mëdha pas kryeministrit të vendit.

“Unë nuk e mendoj që të jesh kryetar i grupit parlamentar i shumicës parlamentare në mandatin e tretë është të mos jesh në një pozicion të rëndësishëm politik. Duke qenë se jam deputet i Elbasanit gjej rastin të falenderoj ata afro 90 mijë votues të cilët në mënyrë historike, dua t’i falenderoj një për një. Falenderoj dhe ata që nuk na votuan, por koha do tregojë se vota për PS ka qenë vota e duhur për të ardhmen. Falenderoj patronazhistët që kanë bërë një punë të shkëlqyer sepse kemi ditur të ngremë një strukturë dhe makineri elektorale shumë efikase që bëri të mundur fitoren e mandatit të tretë. Në ju thashë që kryetari i shumicës parlamentare në një parlament i cili do të ketë përgjegjësi shumë të mëdha është përgjegjësia e dytë pas kryeministrit. Dua t’ju them që do të vazhdoj të  jem në krye të grupit parlamentar të PS. Nuk shoh në këtë vendim asnjë shmangie nga ajo që unë kam dëshirë të bëj”. /tvklan.al