Kryeministri: Nuk do të ndërtohen HEC-e

Vjosa është kthyer në mollën e re të sherrit mes Presidentit dhe Kryeministrit. Një ditë pasi organizoi një tryezë për mbrojtjen e lumit nga hidrocentralet dhe akuzoi qeverinë se mbështet shkatërrimin e tij, Ilir Meta, shkoi në Tepelenë për të përuruar Qendrën Ndërkombëtare Shkencore dhe Kërkimore për Vjosën. Për të është koha që qeveria të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe shkencëtarëve që kërkojnë të ndalohen projekte të tilla.

“E ardhmja e Vjosës nuk mund të jetë kurrsesi shkatërrimi i saj përmes ngritjes së hidrocentraleve, por vetëm shpallja si Park Kombëtar.Koha që qeveria të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të 776 shkencëtarëve nga e gjithë bota për mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore kombëtare dhe ndërkombëtare. E duam Vjosën dhe do ta mbrojmë! Një trashëgimi natyrore kombëtare me rëndësi të jashtëzakonshme dhe potencial të madh turistik që arroganca, korrupsioni dhe marrëzia nuk do mundet ta tjetërsojë dot”!

Kryeministri iu përgjigj me ironi, duke i kujtuar pasivitetin e tij në raste thuajse të ngjashme dhe duke garantuar se në Vjosë s’do të ketë hidrocentrale.

“Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen! Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë”!

Kundër ndërtimit të HEC-eve mbi Vjosë, veç shoqërisë civile dhe komunitetit të zonës, janë shprehur dhe organizata ndërkombëtare mjedisore.

Tv Klan