Rama e Mitsotakis takohen nesër në Athinë

Rama e Mitsotakis takohen nesër në Athinë

15:35 28/10/2019

Pritet të diskutohet marrëveshja detare

Kryeministrat e Greqisë e Shqipërisë, Mitsotakis e Rama, pritet të takohen të martën në Athinë. Ky takim u fiksua para një muaji në New York, gjatë takimit të tyre në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Kreu ynë i qeverisë do të marrë pjesë në samitin e 4-t me temë “Bashkimi Europian dhe Bota Arabe” që do të mbahet në Athinë. Të ftuar do të jenë dhe Kryeministrja e Serbisë dhe Presidenti qipriot. Për shkak të zhvillimeve politike në vend, ka anuluar pjesëmarrjen në momentet e fundit Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Burime qeveritare greke thanë për televizionin Klan se takimi Mitsotakis – Rama nuk do të ketë karakterin e një takimi zyrtar, sa i përket anës protokollare.

Por kjo nuk e zbeh rëndësinë, aq më tepër që dy Kryeministrat takohen për herë të dytë brenda një muaji. Janë të gjitha gjasat që Mitsotakis e Rama të zhvillojnë një bisedë esenciale dhe në fund të saj, nuk përjashtohet të ketë edhe lajme.

Ende nuk është publikuar ndonjë axhendë për takimin Mitsotakis – Rama. Por vetë Kryeministri grek para disa ditësh parashtroi disa nga çështjet që preokupojnë Athinën dhe që pritet t’i diskutojë me homologun shqiptar.

“Kushti për t’u hapur në një moment rruga europiane e Shqipërisë, është respektimi i minoritetit grek dhe i të drejtave të tij. Kusht është ndalimi i çdo parrulle që nuk bazohet në të vërteta historike. Dhe sigurisht, edhe qasja e sinqertë për delimitimin e zonave ekskluzive ekonomike në detin Jon, një proces që ishte finalizuar që nga viti 2009, mirëpo atëherë u tërhoq Tirana”.

Zgjidhje pritet të marrë edhe çështja e njohjes së patentave. Parlamenti i Greqisë pritet të votojë marrëveshjen për njohjen e ndërsjelltë të lejeve të drejtimit që u nënshkrua në Maj 2018 mes dy shteteve, e cila ende nuk ka hyrë në fuqi.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi