Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me debatin e krijuar së fundmi për Teatrin Kombëtar. Në një postim në Facebook, kreu i ekzekutivit ka publikuar foto nga vizita e tij një ditë më parë në Teatrin e ri të Operas dhe Baletit.

E pikërisht duke komentuar mbi këtë kantier ndërtimi, Rama mori shkas për të thënë se edhe Teatri i ri Kombëtar do të jetë dinjitoz dhe modern.

21 vite më parë, thotë Rama, nisi debati për reformimin e sistemit teatror shqiptar. Sa i përket protestave dhe kritikëve për shembjen e godinës së teatrit, Kryeministri duket se u ka lënë kohën për si gjyqtarin më të mirë pasi të jetë ndërtuar Teatri i ri Kombëtar. Ai u bën thirrje kritikëve që të mos shkojnë pas partive, për të cilët thotë se u janë bashkuar gabimisht forcave politike.

“Dje, duke vizituar kantierin e Teatrit të ri të Operas dhe Baletit, ku po përfundon një transformim fantastik brenda asaj hapësire deri dje të degraduar që turpëronte Shqipërinë e shtetin e saj, m’u kujtua që 21 vjet më parë, tamam në të njëjtin vend mbi skenë, nisi beteja publike për reformimin e sistemit teatror shqiptar dhe rindërtimin me themel të skenës kombëtare e të vetë Teatrit Kombëtar…

Sa shumë energji të harxhuara e vite të humbura kot për komunitetit tonë teatror, që qysh atëherë kaloi edhe 20 vjet të tjera në kushtet e një mizerjeje pa të dytë në Europë dhe sa keq për publikun artdashës, që nuk pati dot kurrë mundësinë të shijonte artet skenike në kushte dinjitoze as në TKOB e as në Teatrin Kombëtar!

Sa keq që tërë ato yje të skenës sonë kombëtare u shuan, pa punuar dot një ditë në një skenë normale dhe një gjeneratë e tërë u moshua, pa shijuar dot kurrë një shfaqje në kushte normale! Skenat e reja kombëtare, kjo e Operas e Baletit dhe ajo e Teatrit Kombëtar, përveç të tjerash do t’i ndihmojnë edhe disa të rinj që gabimisht u janë “bashkuar” ca politikanëve e partive si tallashi e teneqeja e ngrehinës së shembur, të kuptojnë nesër pse sot ia fusin krejt kot, kur revoltohen për monumentin imagjinar që mbajti peng artet skenike, komunitetin teatror dhe debatin për Teatrin e Ri Kombëtar, tash 21 vjet”. /tvklan.al