Kryebashkiaku demokrat i Kavajës Isa Sakja, ka reaguar pas “shigjetimit” të bërë nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në shkollën profesionale me profil bujqësor në Golem. Një reagimin e tij, Sakja shkruan se Rama ka frikë nga Kavaja djemtë e vajzat, burrat e gratë e saj që janë në ballë të protestave.

Rama e quajti Sakjan si një individ që nuk ka vizion tjetër për zhvillimin e qytetit veçse ndërtimit të pallateve. Por, sipas kryebashkiakut demokrat, nuk mund të bëhen investime miliona Euroshe, kur nuk investon asnjë qindarkë në një bashki vetëm për arsye politike

Reagimi i plotë:

Kryetari i Bashkisë së Kavajës Isa Sakja: E vërteta e sulmit politik të Ramës është se në 2 vjet u shkatërrua monopoli i rilindjes në ndërtim. Rama ka frikë nga protestat. Sot, Kryeministri Rama përdori një vizite inkonjito në Golem, duke hedhur  fjalën  tym, siç e ka në stilin e tij të konsumuar retorik, për të nxitur një sulm politik ndaj meje.

Zoti Rama,

Që ndërtimi është një valvulë shkarkuese për punësim, këtë duhet ta dish!

Nën drejtimin e demokratëve, në Bashkinë e Kavajës është shembur monopoli i ndërtimit 6-vjeçar të klanit rilindas; kjo është e vërteta. Kjo e ka shqetësuar klikën e rilindasve në qytet, e cila uzurpoi edhe rerën, edhe zhavorrin, edhe mistritë e muratoreve punëtorë në Kavajë për t’ia dhënë të gjitha vetëm një firme. Kjo nuk ndodh me! Çdo propagandë me prapavijë të theksuar politike, retorike boshe, pa asnjë argument nuk mund ta zhbëje këtë të vërtetë.

Nga shkolla e mesme e Golemit, në shoqëri të Kryetarit te Bashkisë së Durrësit, (shpresoj që zoti KM të mos e keni marrë vesh vetëm sot që Golemi është pjesë e Bashkisë Kavaje), pa asnjë kavajas me vete, deklarove se do te ndryshosh një sistem të tërë administrimi, sepse Bashkia Kavajë, që e drejtojmë prej vetëm 2 vjetësh, nuk paska ndërtuar një konvikt që kërkon një investim miliona euro.

Mbasi ndritët Durrësin sot z. Rama dhe z. Dako ju lëshuat Kavajës.

 Në fakt, nuk ka ironi më të madhe se përmendja e fjalës “prokurori” dhe “pallate në rërë ” në prani të Vangjush Dakos. Sot, bashkia e Kavajës zoti Rama, mbasi mbaroi riparimet e  dëmeve që bëri ” rilindja” juaj në Kavajë dhe Golem po bën tamam ato që ju nuk i bëtë dot.

Ajo që sot ne po bëjmë është një park 88 000 metra katrore e një kopsht fëmijësh në mes, aty ku njerëzit e tu e kishin shndërruar në një depozite plehrash. Po bëjmë lulishte dhe parqe  në zonat administrative, ku ju nuk shkelet kurrë!  Zoti Rama duhet ta dish, se në kushtet  kur nuk investon asnjë qindarkë në një bashki vetëm për arsye politike, nuk mund të pretendohen investime disa miliona euro në një konvikt. Është nonsens!

Gjithsesi, te falenderoj se sot zbuluat platformën e sulmit kundër meje, atë të ‘45-ës: kundërshtar politik në litar!

E di, këtë sulm e bën se ke frikë nga protestat!

Ke frikë nga Kavaja, djemtë e vajzat, burrat e gratë e saj që janë në ballë të protestave për rrëzimin tënd.

Po të kishe  me vete djem socialistë nga Kavaja, do të thoshin se unë nuk jam frikacak.Përkundrazi!

Aty, poshtë zyrës tënde, përballë parlamentit do të na kesh, derisa të kuptosh se ora jote mbaroi.

Sa për prokurorinë, ti dhe kushdo tjetër e ka derën e Bashkisë Kavajë të hapur!

/tvklan.al