Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në emisionin “Opinion” në Tv Klan se ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako do të jetë miku i tij edhe nëse shkon në burg.

I pyetur nga gazetari Robert Rakipllari përse nuk është distancuar nga Vangjush Dako kur Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen në SHBA, Kryeministri Rama e bëri të qartë se Dako është miku i tij dhe “nuk ja përcakton DASH” listën e miqve.

Nga ana tjetër, Rama theksoi se ai dhe Vangjush Dako nuk kanë shkelur asnjëherë ligjin.

“Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im, që të jesh i qartë ti. S’mi përcakton Departamenti Amerikan i Shtetit kë kam mik dhe kë s’kam mik unë. Edhe në burg të shkojë të nesërmen, do të jetë miku im. Por me Vangjush Dakon as më ka kërkuar, as i kam kërkuar, nuk kam bërë kurrë asnjë shkelje të ligjit të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al