Mediat greke shkruajnë se kryeministri Alexis Tsipras shfaqet i vendosur të zgjidhë të gjithë problemet me Shqipërinë, pas atyre me Maqedoninë e Veriut.

Kështu vë në dukje gazeta e madhe “Ethnos”, që e titullon ballinën e të premtes “Pas vizitës në Shkup, Tsipras telefonon Ramën”.

Sipas gazetës, qeveria tha se Tsipras e Rama gjatë bisedës telefonike, diskutuan mbi reformat që duhet të realizojë Tirana për t’u hapur negociatat e anëtarësimit në BE.

Mirëpo, shton gazeta, në mënyrë informale qeveria njoftoi se kryeministri grek u fokusua në VKM-në për pronat në Bregdetin e Jonit dhe për aktet normative të ligjit mbi minoritetet.

Gazeta, duke iu referua burimeve diplomatike, njofton se qeveria shqiptare ka vendosur që pronat e diskutueshme do të regjistrohen nga pronarët dhe ato që do të mbeten pa pronarë do të kalojnë në administrimin e Ministrisë së Turizmit.

Pas telefonatës, qeveria shqiptare publikoi një vendim te saj, për pronat e bregdetit Himarë – Sarandë, në të cilin thuhet se “Pronat e paluajtshme, që ndodhen në zonat në të cilat nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar, do të regjistrohen në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin, pasi të ketë përfunduar procesi i regjistrimit fillestar të pronave private në zonat kadastrale të përfshira në këtë vendim.”

Sipas të përditshmes greke, ky vendim është pasojë e bisedës telefonike Tsipras – Rama.

Ndërkaq, sipas gazetës “Ta Nea”, çështja e pronave të minoritarëve do të diskutohet edhe në OKB dhe madje me iniciativë të qeverisë gjermane.

“Ta Nea” u reformohet burimeve të veta, sipas të cilave Berlini ka paraqitur një paketë me katër pyetje, në kuadër të sesionit të 33-të vlerësimit periodik të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Analistët grekë vërejnë se ditët e fundit po bëhen përpjekje nga të dy palët për çtensionimin e atmosferës ndërmjet Athinës dhe Tiranës. 

Ata ndërkaq theksojnë se duhet pritur, për t’u bindur që, siç thonë, Rama nuk ndryshon sërish qëndrim. 

Gjithsesi, analistët mbeten skeptikë nëse negociatat e bllokuara dypalëshe do të zhbllokohen e finalizohen para mbajtjes së zgjedhjeve të dyfishta në muajin Maj.

 Por ata nënvizojnë se është koha që të dy palët të ulen seriozisht në tryezën e bisedimeve për zgjidhjen e problemeve që gjithsesi nuk kanë peshën e kontestit që Athina kishte me Shkupin dhe u zgjidh me Marrëveshjen e Prespës.

Tv Klan