I vënë përballë rrëfimeve të studentëve në tre emisionet e fundit të “Opinion”, të cilët shpjegonin vuajtjet për të paguar tarifat e universiteteve, Kryeministri Edi Rama tha se edhe vajza e tyre kishte punuar recepsioniste për të paguar shpenzimet.

Blendi Fevziu: Studentët kanë hall, hall të mirëfilltë. 200 karrige për 270 studentë. Studenti i verbër që paguan 1.5 milionë, ndërkohë që ligji thotë se duhet ta ketë falas. Përse nuk ua plotëson kërkesat, përse i lë prej 8 ditësh para zyrës tuaj në të ftohtë? Prej dy netësh ndezin zjarr. Jeni prind vetë…

Edi Rama: Faleminderit që ma kujtove këtë dhe në fakt. Duke qenë prind vetë m’u kujtua që vajza jonë, kur shkoi për studime, punonte turn i tretë recepsioniste, për të mbuluar pjesën e shpenzimeve që i duheshin, sepse kështu nuk është këtu është kudo.

Rama foli mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku ishte vënë përballë gazetarëve Mirela Milori, Robert Rakipllari, Andi Bejtja dhe Mark Marku. Në studio nuk kishte asnjë përfaqësi të studentëve.

Sipas studentëve, plotësimi i listës me 8 kërkesa është negociata e vetme me qeverinë, pasi ata nuk pranojnë të përfshihen në dialog pavarësisht ftesave të përsëritura të kryeministrit Edi Rama./tvklan.al