Rritja e pagave për specialistët që punojnë jashtë qytetit të tyre, bën sipas kryeministrit Edi Rama, që ata të marrin të njëjtën rrogë që do të merrnin po të shkonin në Gjermani.

Kreu i qeverisë u shpreh se ky ka qenë qëllimi i tij, për t’u ofruar një mundësi më shumë, por pa u ndaluar atyre mundësinë që të provojnë veten në një vend tjetër.

Rama tha se nuk predikon katastrofën për shkak të emigrimit të njerëzve dhe se kjo është një periudhë historike e pashmangshme.

“Kemi bërë një rritje të konsiderueshme pagash që për specialistët që janë jashtë qytetit të tyre, është një pagë që me bonusin dhe me 40% plus faktikisht shkon në atë nivel që ata do të merrnin nëse do të niseshin sot për Gjermani dhe do të hynin në sistem jo si profesorë, por në sistemin bazë atje. Ky ka qenë qëllimi për të mundur që mjekëve, pa i ndaluar sepse unë nuk hyj tek ata që predikojnë katastrofën për shkak se njerëzit synojnë të provojnë veten jashtë shtetit sepse kjo është një periudhë historike e pashmangshme dhe nuk ka qeveri e fuqi që e ndalon këtë trend. Janë periudha historike që shumë vende e kanë kaluar, shumë vende po e kalojnë sot dhe në fund të fundit është liria e gjithsecilit. Në fund të fundit për ata që duan të rrinë këtu, të rrinë me një pagë që nuk ishte qesharake siç ishte paga 6 apo 7 vjet më parë. Nuk është një pagë për të kërkuar ne që ju të thoni sa të lumtur për qeverinë që keni, por është një pagë që është e konsiderueshme në raport me nga u nisëm dhe një arsye për të besuar se në këtë rrugë mund të rritet akoma dhe për t’u rritur pagat duhet të keni parasysh nga vijnë paratë. Paratë vijnë nga krijimi i mundësive të reja”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se beson që vendi ka hyrë në një fazë tjetër të rritjes së mëtejshme të të ardhurave si rezultat edhe i fiskalizimit.

Ai ironizoi ndër të tjera programin e PD-së. “Programi i PD-së mund të akomodojë bonus për të shkuar edhe në masazh, në SPA, në pishina, që do të ndërtohen kuptohet sipas programit”, tha Rama.

Rama: Marrëveshje me Turqinë për investimet tek objektet e trashëgimisë kulturore

Kryeministri Rama u shpreh se falë një marrëveshje me Turqinë do të investohet në mënyrë të konsiderueshme tek objektet e trashëgimisë kulturore.

“Ne kemi bërë një marrëveshje me Turqinë për të investuar në mënyrë të konsiderueshëm te objektet e trashëgimisë kulturore, ata kanë ndërhyrë në objektet e kultit, ajo që i kam kërkuar prej disa kohësh është që eksperienca e tyre në restaurimin e zonave historike dhe kapacitetet financiare janë në kushtet që të japin një dorë dhe këtu. Kemi rënë dakord për Beratin dhe Gjirokastrën të japin një dorë”, theksoi Rama.

Rama: Qeveria nuk ka shkop magjik, duhet të vazhdojmë në drejtimin që kemi marrë

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Gjirokastër këtë të shtunë ku po zhvillon një bashkëbisedim me qytetarë të ndryshëm.

Kreu i qeverisë tha se qeveria nuk ka shkop magjik, por duhet vazhduar me punën që është nisur. Ai theksoi se vetë hyn tek personat e pakënaqur pasi mendon se ka ende shumë punë të bërë.

Sipas Ramës ato që janë arritur bëjnë të kuptojmë se rruga që kemi marrë është drejtimi i duhur dhe duhet vazhduar në këtë mënyrë.   

“Qeveria nuk ka një shkop magjik ajo që na duhet është të punojmë pa u ndalur dhe të rezistojmë me durim përballë vështirësive, përballë pengesave të trashëguara apo përballë pengesave të papritura që na dalin, siç kanë qenë dy goditje të mëdha. Qoftë tërmeti, i cili na vuri përpara domosdoshmërisë për të shikuar shumëçka në aspektin e prioriteteve. Qoftë edhe pandemia që na vuri përpara sfidës së madhe të mbrojtjes së jetës dhe uljes maksimalisht të kostove të rënda në shëndetin e njerëzve.

Unë hyj tek të pakënaqurit  sepse mendoj se ka shumë për të bërë se koha nuk pret në sensin e viteve që kalojnë dhe se çfarë kemi bërë vlen vetëm për të kuptuar që rruga është e duhura, drejtimi është i duhuri dhe duhet vetëm të këmbëngulim dhe të vazhdojmë drejt”, tha Rama.

Rama: Shpresoj që këto ditë të shpallet fituesi i garës për aeroportin e Vlorës

Kryeministri Edi Rama u shpreh se në Gjirokastër bëhet fjalë për të ndërtuar 2 aerodrome sportive dhe turistike që do të sjellin lëvizje të njerëzve. Rama tha ndër të tjera se shpreson që së shpejti të shpallet fituesi i garës ndërkombëtare për aeroportin e Vlorës.

“Që të jemi të qartë që të mos krijojmë keqkuptime nuk është fjala për të bërë një aeroport komercial si Kukësi apo si Vlora që shpresoj shumë që këto ditë të kemi fituesin e garës ndërkombëtare që u bë si legjenda e Rozafës, hapu e mbyllu, ndërtohu e prishu, pandemia, kompanitë që kërkonin shtyrje, bankat europiane që nuk jepnin kredi, etj. Këtu në Gjirokastër është fjala për dy aeroporte, dy aerodrome sportive dhe turistike që janë diçka krejt tjetër, por sidoqoftë sjellin njerëz, sjellin lëvizje”, tha Rama.

Rama: Rritja e pensioneve, sfidë shumë e vështirë. PD-ja do që të japë sapunin për djathë

Rritja e pensioneve është një nga temat më të vështira për Shqipërinë dhe pjesën më të madhe të vendeve ish-komuniste. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama këtë të shtunë në Gjirokastër, ku zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët. Ai tha se rritja e pensioneve është një nga sfidat më të vështira.

Sipas Ramës, reforma e qeverisë ka bërë që ata që dalin në pension pas miratimit të saj të kenë një pension më të lartë se sa ata që kanë kaluar para reformës. Kreu i qeverisë ironizoi edhe programin e PD-së duke thënë se kërkon tu japë njerëzve “sapunin për djathë”.

“Dua të jem i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë që jo vetëm për ne, por për të gjitha vendet në rajonin tonë dhe le të themi në pjesën e Europës ish-komuniste jo është tema më e vështirë, rritja e pensioneve për shkak të problemit të madh të fondit të pensioneve. Ky është problemi më i madh. Sigurisht që PD mund të rrisë pensionet sa ul e mbyll sytë. Madje mund të ulë prodhimin e qumështit për të rritur prodhimin e djathit. Kanë një formulë që nuk e kanë shpjeguar se si mund të ndodhë kjo, por nga analizat është që ai që mund të të jepet për djathë është sapun. Kush ta marrë ta marrë, kush ta hajë ta hajë, po e mori shumica fiton Shqipëria. Ne kemi bërë sa mundemi indeksimin e pensioneve. Ajo që duam të bëjmë të posaçme pasi na shqetëson fakti që nga pensioni, ku është fjala për medikamentet, barra është jo e lehtë edhe pse e kemi rritur në mënyrë të ndjeshme këtë listën e barnave të rimbursueshme. Tek ilaçet duam të bëjmë diçka specifike për pensionistët.

Ne nuk jemi në fushatë, ne fushatën do ta bëjmë sepse është detyrim para popullit në funksion të zgjedhjeve, por ne duam të çojmë përpara punën që kemi nisur, e cila është njësoj siç janë sot kantieret e rindërtimit. Në këtë fazë është rruga jonë, jemi në një kantier, kemi pastruar rrënojat, kemi hapur themelet, kemi pastruar të gjithë infrastrukturën, kemi ngritur karabinanë, por duhet të plotësojmë të gjitha të tjerat, që e bëjnë të gjithë projektin të mbaruar. Kështu jemi me çdo fushë. Tek pensionet ka një gjë, që mungesa e reformës për aq shumë vite dhe mbajtja e pensioneve tek ai tavani i tmerrshëm që ishin deri kur ne bëmë reformën, bëri që të rritej deficiti dhe të ngarkohej gjithmonë e më shumë shteti, kur them shteti kam parasysh duke spostuar burime detyrimesh të ardhurash të tjera ndërkohë që të ardhurat nga sigurimet shoqërore ishin të papërputhshme me ato që duhet të ishin. Mundësia për të paguar sigurimet shoqërore sipas kategorive ka krijuar kushtet që kush del sot në pension ka tjetër perspektivë nga kush ka dalë në pension përpara reformës. Ju keni qenë mësues. Një mësues që del sot në pension falë reformës merr një pension më të lartë sesa ju, që nuk është e drejtë, këtu duke pasur parasysh vitet dhe kontributet. Sfida e pensioneve është një sfidë shumë e madhe dhe rritja e pensioneve është sfidë shumë e madhe që do të duhet të shihet në rritjen e perspektivave shumë më të mëdha. Ky është realiteti”, tha Rama.

Rama: Universitetet të ndryshojnë qasjen, duhet të ofrojnë programe që i shërbejnë tregut

Gjatë vizitës në Gjirokastër, një pedagoge e universitetit “Eqerem Çabej” ngriti shqetësimin e uljes së numrit të studentëve. Kryeministri Edi Rama tha se arsimi i lartë ka nevojë për reflektim brenda sistemit. Ai u shpreh se reforma për Arsimin e Lartë u ka dhënë autonomi këtyre institucioneve dhe ato duhet ta venë në dispozicion, por me përgjegjësi.

Rama u shpreh se universitetet duhet të ndryshojnë qasjen dhe të krijojnë programe që i kërkon tregu i punës. Ai ironizoi qeverinë e kaluar për politikat në arsimin e lartë.

“Tek pyetja që bëtë ju është një bisedë e gjatë, por unë mendoj që arsimi i lartë ka nevojë për një reflektim brenda sistemit. Ne kemi bërë një reformë ku kemi hedhur një hap shumë kurajoz për t’u dhënë autonomi që nuk e kanë pasur asnjëherë. Autonomia është përgjegjësi dhe liri më shumë. Unë nuk e kuptoj se pse disa universitete duan t’i rezistojnë kësaj gjëje duke shtuar numrin e programeve dhe duke shtuar listën duke i bërë të gjitha. Si mund ta bësh këtë? E para njëherë ne do të refuzojmë shtimin e programeve si pa të mirë. Nga ana tjetër, kjo nuk çon në zgjidhje të problemit. Universiteti i Gjirokastrës duhet të reflektojë se çfarë duhet të ndryshojë dhe çfarë duhet të ofrojë. Këtu kam insistuar dhe të mos humbim më kohë për të ndërtuar kolegjet profesionale. Për të kaluar në një fazë që të kemi edhe kolegjet profesionale, fasha e ndërmjetme që do t’u japë njerëzve që të kenë një profesion të kualifikuar, jo thjesht shkolla profesionale, por më shumë se aq që të jenë të aftë për tregun e punës. Çfarë nevojë ka tregu sot për të shtuar vendet për juridik? Është thjesht iluzion për të rinjtë që hajde bëhu jurist që të bëhesh avokat. Në fakt shtohet numri i të papunëve. Si do të gjendet vendi i punës kur vendi nuk ka nevojë për aq shumë juristë sa ka vendi sot.

Kjo është pasojë e asaj politike ku u shpërthyen dyert e universiteteve, e diplomave dhe iu thanë të rinjve hajdeni merrni një diplomë. Universitetet duhet t’i shërbejnë qeverisë se çfarë do tregu. Çfarë mund të ofrojmë ne që të thonë njerëzit do vij në Gjirokastër dhe me këtë diplomë do gjej punë. Si ka mundësi që në këtë kohë, kur trendi i zhvillimit e tregon shumë qartë që nevoja për kodim, nevoja për një sërë komponentësh të tregut dixhital, të tregut të pafundëm të IT-së nuk ka programe. Pse nuk vjen Gjirokastra dhe të thotë ne duam të shtojmë një komponent të veçantë IT. Kështu duhet synuar dhe jo duke pritur çfarë duhet të bëjë qeveria.

Universitetet duhet të reflektojnë dhe duhet ta venë autonominë në dispozicion të vetes së tyre. Nuk është autonomia që unë bëj çfarë të dua dhe hallet e mia do i zgjidhësh ti. Ka shumë për të bërë dhe ka një potencial shumë të madh. Duhet të vazhdojë të ndryshojë qasja”, tha Rama./tvklan.al