“Notë verbale ambasadorit serb për deklaratat e Vulin”

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të martë se së shpejti do të thirret ambasadori i Serbisë për t’i bërë një notë verbale pas deklaratave të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin.

Kreu i qeverisë u shpreh se pret që Aleksandër Vuçiç të kërkojë falje në emër të Serbisë për deklaratat e Vulin. Këtë të fundit, Rama e konsideroi si fatkeqësi natyrore.

“Ndërkohë që përsa i përket fatkeqësisë natyrore që zbulova se gjendet në kushtet e veprimit permanent në qeverinë e Serbisë në trajtën e një ministri mund të them që vazhdoj pres që Presidenti i Serbisë të kërkojë në emër të Republikës së Serbisë ndjesë për atë fatkeqësi natyrore. E mirëkuptoj që mund të mos ketë fuqi mbi atë fatkeqësi, por le ta mbajë për vete dhe për Serbinë, ndërkohë që Ministria jonë e Jashtme ka vazhduar më tutje me procesin dhe ambasadori i Serbisë është thirrur apo do thirret për t’i bërë me notë verbale vënien në dijeni të shtetit serb se asnjë gojë e shthurur në qeverinë e Serbisë nuk mund të lëndojë qeverinë e Shqipërisë apo figurën e një ministri apo kryeministrit të Shqipërisë. Se po qe puna për Edi Ramën, mua domethënë e dini që këto fatkeqësi natyrore më stimulojnë”, tha Rama, i cili shtoi se i mjaftojnë “fatkeqësitë natyrore” në vend duke nënkuptuar Presidentin Meta.

Ndër të tjera, Edi Rama u shpreh se Kosova do të kuptojë së shpejti që ka bërë mirë që është futur në Shengenin rajonal.

“Koha do të tregojë se është në favor të saj”, tha Rama. /tvklan.al