Në prag të mbylljes së muajit të shenjtë të Ramazanit, kryeministri Edi Rama ka shtruar iftar.
“Njësoj siç e mirëpresin agjëruesit, edhe unë mezi e pres ta ofroj këtë iftar së bashku me Lindën dhe me ndihmën e kujtdo angazhohet që sofra të ketë frymën e një mbrëmjeje që nuk na mbledh bashkë as feja, as gjuha, as puna që bëjmë në të përditshmen tonë, apo ideja e çdokujt për Zotin, por ndjesia e përkatësisë ndaj diçkaje të njëjtë, e lidhjes me diçka të ngjashme, të cilë i gjejmë emra të ndryshëm, por i ndjejmë afërsinë e papërkufizueshme. Vakti i iftarit nuk është i pazakonshëm. Është një ndarje buke mes më të fortëve, atyre që duke agjëruar mposhtin dobësitë e trupit…Është virtyt t’i nënshtrohesh disiplinës së fortë të agjërimit në këtë muaj që jo më kot quhet i madhërishëm pra lartësues. Unë sot bëj pjesë te kategoria e më pak të fortëve. E shoh të virtytshme dhe uljen e jo agjëruesve në tavolinën e iftarit.”
Kryeminstri uroi besimtarët edhe për festën e Fitër Bajramit që vjen pas një muaj sakrifice.
“Zoti na pjektë me hajër pra, të gjithëve për hajër, agjërim të pranuar dhe rrugëtim të paqtë drejt Bajramit të bekuar. Mbarësi besimtarëve myslimanë dhe të tjerëve që iu bashkuan kësaj sofre jo duke u falur në agjërim, por duke iu falur nderës, muajit të lartësimit për bukën që po ndajmë sonte në mesin e artë të Ramazanit.”
Të gjithë besimtarët namazin e Fitër Bajramit do të mund ta falin në Sheshin “Skënderbej”, më 10 Prill 2024, ora 06:55.
Klan News