Kryeministri i vendit Edi Rama nga Praga për “Opinion” është shprehur se Europa ndodhet në prag të një lufte të mundshme, siç do të ishte Lufta e Tretë Botërore.

Për këtë arsye, Kryeministri Rama ka shprehur hapur mbështetjen e Komitetit Politik Europian pasi thekson se politika e tërë është shtysë e një rruge të re bashkëjetese.

“Ja pse premtimi, joshja, mundësia e një Komunitetit Politik Europian të ri është kaq tërheqëse”, thekson Kryeministri Rama.

Edi Rama: Druaj se, ndërsa të gjithë përballemi me probleme të përbashkëta, si çmime energjie që shkojnë në stratosferë, ne – europianët e Ballkanit, mund të përjetojmë sërish vetminë e frikshme të ekzistencës në brendësi të kufirit të brendshëm të Europës dhe të përjashtuar nga zgjidhjet e përbashkëta, ashtu siç u lamë jashtë nga plani i shpërndarjes së vaksinave gjatë fazës së parë e më akute të pandemisë. Druaj po ashtu, se të rinjtë më të mirë e më të shkëlqyer që kemi do të vazhdojnë të largohen drejt universiteteve më të mira të BE-së, sepse universitetet tona do të vazhdojnë të lihen jashtë bashkëpunimit të BE-së në arsimin e lartë, Sistemit të Arsimit të Lartë të BE-së. Druaj se përballë realitetit të përbashkët të mungesës së forcës së kualifikuar të punës, për shembull, në fushën e kujdesit shëndetësor, vendimet e egra të tregut do të vazhdojnë të imponohen. Që do të thotë që, vende të varfra të këtij kontinenti si i yni dhe si vendet e rajonit, do të vazhdojnë të financojnë studimet e mjekëve dhe infermierëve që gllabërohen nga vendet më të pasura të kësaj Europe të përbashkët, pa na dhënë asgjë në këmbim, përveç shijes së hidhur qëështë e njëjta histori qëpërsëritet e njëjta humbje që vazhdon. Në fund, druaj se ideja e ndarjes së barrës në një hapësirë të re bashkëpunimi mund të qëllojë të kthehet përsëri në një iluzion të dhimbshëm që s’ishte as kjo gjëja e duhur për ne.

Por, thënë të gjitha këto, hapur, troç, përballë, duhet nënvizuar se, duke lënë frikën mënjanë, unë mbetem një mbështetës dhe ne jemi mbështetës të këtij Komunitetit të ri Politik Europian.

Sepse Europa gjendet në prag të një Lufte të mundshme të Tretë Botërore. Edhe një herë, Europa është aty. Edhe një herë, Europa është në një fazë ku e ardhmja e saj që s’mund të parashikohet, në fakt mund të parashikohet vetëm duke u ndërtuar nga ne. Beteja për Europën nuk mund të jetë ajo që i takon vetëm për një dorë problemesh për t’u zgjidhur, por për një politikë të tërë që është shtysë e një rruge të re bashkëjetese. Ja pse premtimi, joshja, mundësia e një Komunitetit Politik Europian të ri është kaq tërheqëse.

Rama nga Praga për Opinion: Epoka e rrezikut është zyrtarizuar

Nga Praga ku mori pjesë në samitin për Komunitetin e Politik Europian, përmes një video-mesazhi për emisionin Opinion në Tv Klan, Kryeministri Edi Rama ka thënë se tashmë epoka e rrezikut ka filluar, për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në video-mesazhin e tij, Rama ka theksuar rëndësinë e Europës si një komunitet i përbashkët.

“Sot ama epoka e qetësisë ka mbaruar, ka filluar epoka e rrezikut e cila është zyrtarizuar, duke na përballur me një tjetër emergjencë të përbashkët kaq dramatike. Agresioni rus me pasojat tronditëse politike e ekonomike që vijon të ketë. Sidomos me frikën që ka mbjellë në jetët e vendeve dhe të qytetarëve tanë, na ka sjellë sërish përpara një domosdoshmërisë absolute për të vepruar si një trup, Bashkim Europian dhe Europë.

Qytetarëve të Europës nuk iu është dashur të përballen kurrë më parë me kaq shumë sfida të përbashkëta, pavarësisht se ku ata ndodhen, qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Dhe prandaj, është shpresa se Komuniteti i ri Politik do të bëhet një platformë e përbashkët, në të cilën do të mendojmë për sfidat e së ardhmes në një mënyrë që na bashkon që i çmon përvojat dhe respekton dinamikat e brendshme të të gjitha shteteve individuale të Europës, por që ndërkohë ndryshon konceptin e asaj çka nënkupton të qenit së bashku në këtë territor pavarësisht se kush është BE dhe kush vetëm E, një bashkëjetesë dhe një veprim kolektiv.

Unë dua të shpresoj se, duke reaguar së bashku në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës, kemi marrë mësimin se pikërisht kështu do të gjejmë edhe vullnetin për të luftuar jo vetëm kundër mënyrës sesi disa të tjerë i bëjnë gjërat, por edhe për mënyrën sesi ne duhet t’i bëjmë gjërat, si një Komunitet i tërë Politik Europian”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. 

Nga Praga për Opinion, Rama: Ideja e Komunitetit Politik Europian e vjetër, rrënjët në vizionin e një francezi, jo të Macronit

Ka nisur nga Çekia vënia në jetë e idesë së presidentit francez Emanuel Macron për krijimin e një Komuniteti Politik Europian, ku veç vendeve të Bashkimit Europian bëjnë pjesë edhe shtete të tjera, përfshirë edhe ato që aspirojnë të bëhen pjesë e unionit.

Në samitin informal që po mbahet në kështjellën mbi 1 mijë vjeçare të Pragës ndodhet 40 liderë të botës, mes të cilëve dhe Kryeministri Edi Rama.

Nga Praga, Kryeministri Rama ka dhënë më me detaje se çfarë ka folur në këtë samit dhe ka shprehur mbështetjen e tij për krijimin e Komunitetit Politik Europian.

Edi Rama: Ideja e komunitetit është një ide e vjetër, ndoshta dhe sa vetë Europa. Rrënjët e saj intelektuale  gjenden në vizionin e një francezi, jo të Macronit, por të Abatit të Shën Pjetrit. Në shekulin e 18, ky francez doli me idenë e një bashkimi të shteteve evropiane qëllimi i të cilit ishte të garantonte paqe të përhershme.

Ishte një pikë kthese në historinë e Europës pas disa vitesh konflikti të përgjakshëm që pati shkaktuar mijëra jeta njerëzore  dhe aq pati prerë dhe oreksin e sovranëve për më shumë luftë. Dukshëm ai ishte një projekt për integrimin europian që identifikoi si rrezikun për unitetetin e paqes në Europë pikërisht mbi egoizmat të vetë shteteve.

Ai më i vjetri mbetet një nga projektet më largpamës të integrimit institucional. Është një mësim jo vetëm për modelin ambicioz që propozon, por edhe për mënyrën si ai dështoi. Kështu e kam filluar fjalën sot fjalën në sesionin e hapjes së këtij samiti duke vazhduar se megjithatë udhëheqësit e mbarë Europës ishin entuziastë për idenë, gjithçka që i mungon për të pasur sukses është konsensusi i të gjithë Europës.

Kam vazhduar duke thënë se janë ato hollësirat e vogla që na kanë mbledhur këtu më shumë se 3 shekuj më pas, sigurisht në të gjithë rrjedhën e shekujve kemi mësuar që të dështojmë më mirë dhe nga të gjitha përpjekjet e parardhësve tanë evropianë për të krijuar besimin recpiprok. BE mbetet sot e kësaj dite më i suksesshmi, më frymëzuesi dhe më konkreti.  

BE është për t’u admiruar sepse pavarësisht të gjitha papërsosmërive të tij që sjellin dasi dhe vorbulla në një territor që është shpirtëror që e ushqen përkatësinë për ata që ndihen evropianë e deri tek shqiptarët që dihet botërisht se janë më eurooptimistët, kështu thonë dhe anketat e Brukselit./tvklan.al