Kryeministri Edi Rama falenderoi të gjithë aktivistët e Partisë Socialiste këtë të shtunë duke thënë se fitorja e selisë rozë vjen pikërisht prej angazhimit të tyre.

Ai u shpreh se të rinjtë socialistë punojnë vullnetarisht për të fituar mendjen dhe zemrat e njerëzve. Sipas Ramës kjo bën diferencën me forcat e tjera politike dhe arsyeja pse PS-ja merr gjithmonë rezultate të mira pas zgjedhjeve.

“Sot ata që nuk e dinë çfarë punë, çfarë mundi, çfarë angazhimi të padukshëm ka brenda familjes sonë politike, kanë zbuluar fjalën patronazhist dhe e sjellin vërdallë duke e deformuar kuptimin e saj për faktin se ata nuk e dinë që PS është një familje ku të angazhuarit brenda familjes punojnë vullnetarisht. Punojnë pas pune, punojnë pas shkolle, punojnë duke marrë nga koha e tyre e lirë për të mbuluar territorin shpirtëror të këtij vendi për të pasur në komunikim të drejtpërdrejtë njerëz të zakonshëm të vendit sepse se beteja e PS është për të fituar mendjen dhe zemrat e njerëzve. Pastaj çuditen sepse shkojnë dhe zbresin në fushën e lojës me atë gafurrjen, kur i thoshim ne në kohë kur luanim sport, të dikujt që mendon që kujton se i takon fitorja dhe se është i fituar. Pastaj kur hynë në fushën e lojës me ne fillojnë edhe kuptojnë se nuk është aq e lehtë. Pastaj  kur bie bilbili i përfundimit të ndeshjes shohin tabelën dhe është 74-78. Pse? Natyrisht për të gjitha gjërat që kemi bërë, për besimin që transmetojmë dhe bindjen e shumicës së shqiptarëve se PS është e vetmja forcë që mund ta çojë në majën ku Shqipëria meriton, por edhe për faktin se PS nuk është Edi Rama, se PS nuk janë disa ministra apo disa deputetë që për shkak të pozicionit janë të ekspozuar. PS është një rrjet i tërë i organizuar mendjesh, zemrash njerëzish, të të gjitha moshave që janë në të gjithë Shqipërinë. Të angazhuar për ta komunikuar mesazhin, për ta përcjellë energjinë dhe për ta marrë rezultatin. Fitorja e PS-së është si rezultat i angazhimit tuaj dhe i mijëra, mijëra të tjerëve si ju nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Dhe për këtë unë u jam shumë mirënjohës, ju dhe të gjithë patronazhistëve e aktivistëve të PS-së sepse fitorja jonë është një fitore që krijohet nga puna, nga angazhimi, komunikimi dhe besimi i këtyre qelizave tona. Organizimi ynë është i pathyeshëm, është gjithmonë e më i fortë. Organizmi ynë është shtylla që mban Shqipërinë dhe shtylla që duke u lartësuar e ngre Shqipërinë çdo vit më lart”, tha Rama./tvklan.al