Kryeministri Edi Rama ka falenderuar ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, gjatë një aktiviteti të organizuar në Farkë për menaxhimin e zjarreve. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë tha se ambasadorët sa herë që ka nevojë Shqipëria në raste krizash vihen në dispozicion dhe bëhen qytetarë të këtij vendi.

“Goditjet e furishme të natyrës asnjë shtet nuk i përballon i vetëm. Në rastin tonë kemi ende mangësi më të mëdha se sa shumë shtetet të tjera në këtë kontinent dhe prandaj dua t’i shpreh një falenderim të posaçëm qoftë ambasadorit të BE dhe ambasadores së SHBA. Dua të them se falenderimi nuk është as formal dhe as diplomatik. Nuk është madje as falenderim për dy ambasadorë, por falenderim për dy përfaqësues të dy fuqive të mëdha që janë aleatët strategjikë të vendit tonë që për hir të së vërtetës sa herë që Shqipëria ka një nevojë, këtu kam parasysh tërmetet, zjarret, përmbytjet, janë më shumë se ambasadorë, janë qytetarë të këtij vendi dhe njerëz që shqetësohen menjëherë për këtë vend dhe menjëherë vihen në dispozicion si mund të ndihmojnë. Përtej hierarkisë dhe marrëdhënies hierarkike dua t’i falenderoj sepse realisht gjatë gjithë periudhës së Gushtit kanë qenë vijimësisht të vëmendshëm dhe të interesuar qoftë për të marrë vesh si shkoi dita dhe qoftë për të thënë se çfarë do të bëjmë sot”, tha Rama.

Një falenderim Kryeministri e kishte edhe për Ministrin Peleshi, për të cilin tha se ka nderuar qeverinë.

“Dua të falenderoj Ministrin Peleshi, i cili ka nderuar qeverinë e Republikës së  Shqipërisë në këto muaj sfide duke qenë ditë natë pranë trupave, duke u gdhirë në jug dhe u ngrysur në veri. Kemi qenë në kontakt permanent dhe me forcën e shembullit të tij ka frymëzuar dhe motivuar edhe drejtuesit e tjerë. Jam i bindur që ky është modeli që të gjithë ne kemi detyrimin të kemi parasysh sa herë që sfidat bëhen të atilla që i vëne njerëzit në pozitat e atilla për një motivim më shumë se sa ditët e zakonshme”. /tvklan.al