Kryeministri: Institucionet, target kursimi 15% të energjisë

24 orë pas shtyrjes së vendimit për të rritur çmimin e energjisë për fashën mbi 800KW/h, Kryeministri Rama paralajmëroi përmes një konference online me qytetarët se, qeveria nuk ka hequr dorë, por në bazë të treguesve vendimmarrja është lënë për në muajin Nëntor.

“Nëse trendi i kursimit do të vazhdojë dhe nëse reshjet do të vazhdojnë ne do ta kalojmë pa asnjë problem. Në Nëntor do të vendoset fasha duke pasur parasysh parametrat ose do t’i rikthehemi këtij diskutimi duke pasur parasysh parametrat. Kjo është objektive.”

Mohoi se pas vendimit fshihet frika e humbjes në zgjedhjet lokale.

“Nuk ka lidhje me asnjë tenxhere zemërimi e tenxhere grumbullimesh, por ka lidhje me një fakt. Reshjet, që kanë shtuar kuotat në hidrocentrale dhe në Fierzë, dhe elementi i dytë është një trend kursimi.”

Në funksion të përballjes së krizës energjetike Rama tha se qeveria ka një plan kursimi.

“Në të gjitha institucionet do vendoset administrator i energjisë, i kemi vendosur target kursimi 15%.”

Mohoi se pas konfiskimeve të kateve pa leje në kullat e ndërtuara në kryeqytet qëndron vetë ai, teksa i cilësoi turp akuzat për pastrim të parave të krimit.

“Ato broçkullat me miliardat e parasë së krimit që lahen në këto ndërtime, janë turpe të mëdha për ata që i bëjnë. Mua nuk më kap dot askush me para dhe për mua paraja nuk vjen asnjëherë e para. Kështu që të tjerët pastaj janë fjalë. Po të ishte lojë e dyfishte do i merrja për vete jo për shtetin. Ka një problem, leku me mua duhet të përkulem për ta marrë e unë nuk përkulem”, tha Rama.

Sërish gishtin e drejtoi nga drejtësia, duke i kujtuar kësaj të fundit që të veprojë pas kallëzimeve të bëra në organin e akuzës. Gjatë konferenës online me qytetarët kryeministri konfirmoi se do të ketë një rritje tjetër shtesë për zjarrëfikësit në buxhetin e ri.

Tv Klan