Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të mërkurë se zgjedhjet e 25 Prillit janë vendimtare edhe për fatin e Reformës në Drejtësi. Kreu i qeverisë tha se qytetarët kanë të drejtë që të jenë të lodhur duke pritur drejtësinë e re. Megjithatë për Ramën, ndërtimi i një sistemi drejtësie të drejtë nuk ka qenë e lehtë, por një ndër punët më të vështira dhe si e tillë kërkon kohë. Sipas Ramës, PS-ja është e vetmja forcë që mund të niste dhe të përfundojë Reformën në Drejtësi.   

“Më dëgjoni me shumë vëmendje këtë që po përpiqem t’ju them sot. Këto zgjedhje lidhen në radhë të parë me fatin e drejtësisë në Shqipëri për një kohë të gjatë pas 25 Prillit, mbase për më shumë se një dekadë të tërë. E di mirë që jeni lodhur duke pritur me dekada drejtësinë që ju meritoni dhe që ne shumica e sotme PS duam për Shqipërinë, për të gjithë qytetarët e vendit që unë dua. Jeni lodhur me padrejtësinë dhe pandëshkueshmërinë për ata që ju mendoni që nuk meritojnë vend tjetër veç bankës së të akuzuarve për zullumet që kanë bërë dhe bëjnë sot e gjithë ditën, sidomos për ata që kanë kostum, kanë kravatë, të cilët duken se janë të paprekshëm pavarësisht atyre që bëjnë, por kjo lodhje është sot këshilltari më i keq në rrugën për të arritur drejtësinë që duam. Kjo lodhje, kjo pakënaqësi kaq e vërtetë në thelb mund t’ju çojë në vendimin e gabuar më 25 Prill. Ndërtimi i një sistemi drejtësie të drejtë, të atyre që e morën peng për kaq vite me radhë, nuk është një punë e lehtë, por puna më e vështirë mes të tëra punëve kaq të vështira për shtetndërtimin tonë europian. Kërkon më shumë kohë, më shumë vendosmëri sesa çdo punë tjetër. Më duhet t’ju kujtoj se kjo puna ka nisur shumë pak vite më parë dhe mos e harroni kurrë, këtë punë mund ta niste nesër vetëm një forcë politike në këtë vend, PS”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se është i pakënaqur me ato çfarë janë bërë deri më tani, prandaj kërkon mandatin e tretë. Ai u shpreh se duhen përfunduar punët që janë nisur, ndërsa akuzoi opozitën duke thënë se “Sa herë fitojnë ata, Shqipëria humbet”.

“A duhet të më jepni mua dhe PS-së një mandat të tretë apo do të rimerrni në drejtimin e vendit ata që kanë qenë me vite aty. Ky që vjen është mandati i tretë për mua dhe PS dhe mandati i 5 për Saliun, Lulin dhe PD-në, pa harruar që është edhe mandati i pestë për Ilir dhe Monikën herë me PD-në dhe herë me PS-në. Të gjithë ata kanë të njëjtin avaz. Sa herë fitojnë ata, Shqipëria humbet. Besojeni Shqipëria nuk është ajo që unë dua. Prandaj kërkoj mandatin e tretë se po të isha i kënaqur nuk do ndalesha këtu, por nuk duhet t’i lemë në mes punët që kemi nisur. Ka probleme për t’u zgjidhur dhe halle për t’u adresuar. Të gjithë sëbashku të jemi të vetëdijshëm njësoj si për dritën e mëngjesit, e ardhmja nuk ndërtohet as me receta çudibërëse elektorale edhe as me rikthimin e fantazmave të së shkuarës në pushtet, por me punë”, tha Rama./tvklan.al