Kryeministri Edi Rama, në studion e “Opinion” tha mbrëmjen e kësaj të enjteje se fenomeni i kanabisit në Shqipëri ka vdekur. Kryeministri u shpreh se mbjellje ka si kudo dhe se lufta ndaj kanabisit nuk mbaron, por është e vazhdueshme.

Fatjona Mejdini: Në buletinet e saj mujore, Ministria e Brendshme thekson se nga Qershori deri në Gusht të vitit 2020 janë asgjësuar 86 mijë e 694 bimë. Nëse i referohemi vitit 2012, Ministria thotë që kemi 43 mijë e 797. Pra shifrat janë dyfishuar. Kjo është një gjë e rëndë.

Edi Rama: E di sa janë 86 mijë bimë? A e ke idenë sesa janë 86 mijë bimë në raport me Shqipërinë?

Fatjona Mejdini: Absolutisht, por trendi është rritës dhe nga ana tjetër jo çdo bimë që është mbjellë asgjësohet nga policia. Rëndësi ka trendi rritës. Tashmë ju keni një strategji për kanabisin, 2017-2020. Strategjia përfundon. Duket se vetëm policimi i çështjes së kanabisit nuk ka sjellë rezultat, sepse po shohim përsëri një trend në rritje.

Edi Rama: Ti nuk po sheh asnjë gjë, ti po lexon ato.

Fatjona Mejdini: Trendi rritës është i Ministrisë së Brendshme.

Edi Rama: Nuk ka asgjë të tillë, janë trende rritëse dhe ulëse brenda normale, nuk ka luftë kanabisi.

Në këtë pikë ndërhyri Blendi Fevziu i cili solli pamjet e gazetarit Artan Hoxha, në një parcelë kanabisi.

Blendi Fevziu: Deshe të shihje kanabis?

Edi Rama: Fillove prap me filma këtu si Babalja?

Blendi Fevziu: Artan Hoxha, Tetor 2020.

Edi Rama: E çfarë do të thotë kjo? E para e punës njëherë, unë nuk e di fare, ajo është në Tetor të 2020 siç shkruan ti, apo është në…

Blendi Fevziu: E thotë gazetari, Artan Hoxha.

Edi Rama: Po punë e madhe shumë, po punë e madhe shumë, po punë e madhe shumë se e thotë ai. E para. E dyta: Ja e thotë dhe është e vërtetë, në një pikë gazetari ka parë kanabis, po bukuri, po çfarë është kjo tani?

Blendi Fevziu: Po a the nuk ke parë kanabis?

Edi Rama: More zotëri unë po flas për fenomenin dhe po them nuk ka fenomen kanabisi në Shqipëri më, ka vdekur. Ka vdekur. Tani a ka mbjellje? Po patjetër, ka, kudo është luftë ajo, nuk mbaron lufta që u fshi dhe tani të gjithë ata që merren me kanabisin do të shkruajnë libra apo do të bëjnë analiza. Janë zënë vendet për analiza, për investigime./tvklan.al