“Kush transmeton lajme të rreme rrezikon mbylljen”

Edi Rama: “Festa e flamurit nuk ka qenë kurrë më trishtë, festë s’mund të jetë por solidaritet patjetër”.

Pjesë e solidaritetit kombëtar dhe përgjegjshmërisë për të përballuar gjendjen e jashtëzakonshme që krijoi goditja vrastare e tërmetit të 26 Nëntorit, për Kryeministrin është dhe informimi korrekt dhe racional i gjitha pasojave të kësaj situate. Transmetimi i lajmeve dhe deklaratave të parpërgjegjshme në kërkim të një audience më të lartë që krijojnë panik tek qytetarët, Rama tha në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, që mund t’ju kushtojë mediave televizive apo portaleve e gazetave mbylljen e tyre.

Pas sistemit të një pjesë të madhe të familjeve që i mbijetuan tërmetit por ngelën të pastrehë nëpër hotele, tani radhën e ka inventarizimi i dëmeve.

Duke nisur nga kjo e enjte, grupe inxhinierësh përfshirë dhe ata që punojnë në sektorin privat do të shpërndahen nëpër rajonet e Durrësit dhe Tiranës për të kategorizuar banesat që janë të pabanueshme.

Solidariteti i treguar duke kontribuar me ndihma të shumta materiale si brenda vendit, por në mënyrë të veçantë nga Kosova ka krijuar një stok ndihmash që mesa duket janë të vështira të menaxhohen, madje ka raste dhe abuzimesh me to. Pavarësisht mirënjohjes, Kryeministri apelon që për momentin ndihmat materiale të ndalen.

Rama lajmëroi se të gjithë përfaqësuesit e kabinetit qeveritar kanë vendosur që pagën e tyre të muajit Nëntor ta japin si kontribut për familjet e prekura nga tërmeti.

Tv Klan