Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në kantierin e rindërtimit në Tiranë, ku po ndërtohen apartamentet e reja që u dëmtuan nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri iu përgjigj edhe akuzave të përditshme të kryetarit të opozitës Lulzim Basha, që thotë se qeveria shpenzon paratë për inceneratorët në kohë pandemie. Sipas Ramës, qeveria është e qartë në synimin e saj dhe do të vijojë punën në të dyja frontet, edhe në procesin e rindërtimit të banesave të reja, dhe në përballimin e situatës së pandemisë.

“Kryetari i opozitës është i fiksuar që ne nuk duhet të paguajmë për mbetjet e Tiranës. Dhe në mënyrë hileqare ju thotë çdo ditë shqiptarëve se ne po japim para nga buxheti për një mafie imagjinare të inceneratorërve. Ndërkohë që ne po përballemi me plagën e madhe të 26 Nëntorit të shkuar dhe po përballemi me këtë armik të padukshëm duke mos i lënë asgjë mangut njerëzve që kanë nevojë për kujdes shëndeëtësor, sipas tij po harxhokemi kot para që sipas tij duhen shpërndarë dhe në fund të mbetemi në të njëjtën gropë ku ai dhe partia e tij e çuan Shqipërinë një herë në fund të gropës me piramidat dhe një herë në buzë të gropës me qeverisjen që fatëmirësisht  e mbuylli aventurën e vetë në 2013. Ne do të përballemi në front edhe me sfidën e rindërtimit dhe do ta fitojmë këtë sfidë, do të përballemi me armikun e padukshëm përditë dhe do të garantojmë ato që garantohen në çdo vend të botës dhe do të përballemi edhe me të ardhmen për të cilën mendojmë edhe kur rindërtojmë. Do të përballemi edhe me nevojën që ka Tirana, Durrësi, për t’u ndarë përfundimisht nga epoka e plehrave. Do të përballemi edhe me nevojën e Tiranës, Durrësit për të zhvilluar më tutje infrastrukturën. Ndërkohë që flasim, një kompleks inxhinierik punon ditë natë në hyrje të Tiranës”.

Sa i përket akuzave të Bashës për numrin e testimeve, Kryeministri dha këtë përgjigje: “Po kur thotë bë testime më shumë që të ndalosh infeksionin. Por mirë pse nuk e ndalon Franca infeksionin? Kush jemi ne, kush jam unë që të vendosim sa testime bëhen. Ne kemi detyrimin t’u përgjigjemi atyre që janë në krye të detyrës, t’i respektojmë dhe t’u bindemi. Jo t’i shqetësojmë e t’i ngatërrojmë me një mijë e një budallallëqe në ditë, duke nxjerrë në skena lloj lloj figurash që s’kanë lidhje. Qeveria është e qartë, është e vendosur dhe mbi të gjitha di se çfarë bën”.

Kryeministri Rama shprehet i bindur se dy goditjet që pësoi Shqipëria, tërmetin dhe pandeminë, nuk do të ishte e mundur t’i përballonte Partia Demokratike nëse do të ishte në pushtet.

“Janë dy goditje njëra pas tjetrës që askush tjetër, marrë parasysh që e dimë kush janë aktorët në dispozicon në stolin e rezervave të politikës shqiptare, nuk do të kishte mundur do t’i rezisonte sikundër ne që jo vetëm i rezistojmë, por rezistojmë me forcë, durim dhe mund të them me sukses. Covidi mund ta kishte përmbysur krejtësisht gjithçka”.

Tirana është kthyer në një kantier të madh ndërtimi, theksoi Kryeministri Rama, duke premtuar edhe ndërtimin e rrugës nga Miloti në Fier.

“Edhe në unazën e Tiranës vazhdon puna intensivisht. Do ta hapim kantierin më të madh publik në historinë e këtij vendi me segmentin më të rëndësishëm të korridorit blu, nga Miloti në Fier. Do ta kthejmë nga një segment qesharak në një korridor europian. Dhe patjetër do ta hapim menjëherë edhe Milot-Murriqan”.

/tvklan.al