Në një intervistë ndryshe, Kryeministri Edi Rama ka folur në emisionin Opinion në Tv Klan për jetën personale dhe karrierën e tij.

Përballë gazetarit Blendi Fevziu, kreu i qeverisë shqiptare rrëfen raportin me gratë dhe divorcet e mëparshme.

Rama thotë se marrëdhëniet e mëparshme nuk kanë funksionuar dhe janë ndërprerë në mënyrë civile.

Blendi Fevziu: Folët më parë që jeni burri ose bashkëshorti i Linda Ramës. Ndërkohë, në jetën tuaj keni lënë dy divorce dhe ndoshta ndonjë divorc informal pas shpine. Pse ky raport me gratë e Shqipërisë, ku zakonisht njerëzit ose ruajnë një familje qoftë edhe me problemet që ka një familje, ose kur divorcohen shpeshherë janë me probleme. Kjo jeta jote duket shumë e çuditshme në këtë mënyrë. Çfarë nuk ka funksionuar ose çfarë ka funksionuar në raportin tuaj?

Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë, e ndjej veten jashtëzakonisht me fat që jam burri i Lindës edhe që kam Lindën në krah tani më prej 10 vjetësh, gjë që realisht ma ka bërë shumë të largët kohën e mëparshme. Së dyti, unë mendoj që në jetën e njerëzve pjesa personale, pjesa private shumë individuale është shumë e veçantë për secilin dhe është jashtëzakonisht e vështirë që nga larg ta gjykosh dhe të thuash ky apo ai bërë këtë apo bëri atë. Nuk është e mundur. Unë s’kam dashur asnjëherë që të jem njeriu që i jap mend të tjerëve apo u them të tjerëve. Me jetën privatë të gjithë janë të lirë të bëjnë atë që mendojnë dhe kjo liri është gjëja që duhet garantuar dhe moscënimi i saj është që është jeta e secilit. Secili ka jetën e vetë. Por nuk kam pasur për hir të së vërtetës, kam pasur thjesht raporte që në një moment të caktuar nuk kanë funksionuar dhe janë ndërprerë në mënyrë civile.

Blendi Fevziu: Është shumë e çuditshme sepse ndërkohë ju keni përfshirë jashtëzakonisht një numër të madh grash, ndoshta më shumë se politikanët e tjerë, qoftë në stafin tuaj në Bashki, qoftë në Qeveri, edhe së fundmi madje dhe në poste relativisht të rëndësishme ku gratë nuk kanë arritur në momente të tjera. Po ky raport, i vështirë në jetën familjare, funksional në Qeveri?

Kryeministri Edi Rama: S’kam pasur raport të vështirë unë me gratë asnjëherë, janë raporte personale që në një mënyrë ose një tjetër kanë një jetëgjatësi të madhe ose nuk e kanë jetën shumë të gjatë dhe kjo është një çështje mes dy njerëzve.

Blendi Fevziu: Miku juaj i vjetër, i cili ka qenë dhe miku im, por sot është kritiku juaj, thoshte që ‘Rama kërkon vazhdimisht gra të cilat ta duan me dashurinë e nënës’. Pra, as mos ta kritikojnë. Si bashkëpunëtore flas, jo në këtë raport. Është e vërtetë kjo?

Kryeministri Edi Rama: Ky është psikanalisti popullor Fatos Lubonja. Kjo është një analizë, nuk i hyj kësaj sepse unë asnjëherë nuk hyj thellë në fusha ose në gjëra për të cilat nuk jam përgatitur që të mësoj, siç mësoj në detyrën time përditë kur duhet të flas gjëra që nuk janë materie që i zotëroj, dhe aq më tepër pastaj që të bëj një diskutim me Ljubën si Frojdi me Jungun. Kështu që ja Ljubës edhe Frojdin edhe Jungun t’i bëjë në mënyrë popullore, ndërsa unë mendoj që ajo që është e rëndësishme është që jeta e secilit, është jeta e secilit, jeta private është jeta private. Të tjerat askush nga jashtë nuk arrin dot as ti dijë deri në fund dhe aq më pak pastaj t’i gjykojë. /tvklan.al