Kryeministri Edi Rama e kujton babain e tij si një njeri të heshtur dhe që nuk i imponohej kurrë për vendimet apo mendimet e tij.

Në një intervistë të rrallë për emisionin “Opinion” në Tv Klan përballë gazetarit Blendi Fevziu, ka treguar se vitet e fundit nuk i ka pasur marrëdhënie të mirë me të atin dhe çdo drekë e të dielës përfundonte me sherr.  

Blendi Fevziu: Zoti Rama çfarë raporti keni pasur ju me babain, përtej thjesht politikës?

Kryeministri Edi Rama:Unë kam pas…

Blendi Fevziu:Në një intervistë tjetër ju me keni thënë që erdhët vetëm në varrimin e tij, binte shumë shi dhe juve ju dukej e trishtë që një njeri që ka jetuar një jetë me përpjekje, një ditë duhet të iki nga kjo botë…

Kryeministri Edi Rama:Babai ishte një dhuratë nga Zoti për mua në sensin që nuk është përpjekur asnjëherë që të më imponohet mua. Nuk mbaj mend që të ketë ngritur dorën ndaj meje dhe që unë fillova t’i jepja gojës siç thuhet që të më imponohej e të më mbyllte gojën. E vetmja gjë që ndodhte mes nesh ishte diskutimi, kur ne kishim debat për shumë gjëra. Unë kam qenë një fëmijë shumë rebel në aspektin e të folurës, në aspektin e debatit, ai thoshte dakord ti me tënden unë me timen, por me këtë mëndje që ke mund të përfundosh dhe në burg, por puna jote. Pra ka qenë shumë liberal në raport me mua, në raport me mua…

Blendi Fevziu: Burgu në atë kohë nuk ishte aq individual se merrje në qafë të gjithë familjen…

Kryeministri Edi Rama: Më ka dhënë mundësinë që unë të jem unë. Ai asnjëherë nuk e ka përthyer personalitetin tim, sipas frikës apo shqetësimit apo mendjes së tij. Kjo ka qenë thelbësore. Pastaj në aspektin artistik kishim qëndrime të ndryshme, por im atë në atë pikë ishte shumë tolerant dhe nuk kërkonte të më bindte mua që çfarë unë pëlqeja ndërkohë që isha ai që thoja se çfarë ai duhet të pëlqente. Në aspektin pastaj të marrëdhënies me regjimin, me sistemin më kujtohet që vitet  e fundit kanë qenë vite që nuk jetoja në shtëpi me prindërit dhe shkoja vetëm për drekën e së dielën e cila gjithmonë përfundonte keq.

Blendi Fevziu:Me sherr.

Kryeministri Edi Rama: Ai nuk bënte sherr, unë bëja sherr. Dhe më kujtohet kur ai u përzgjodh anëtar i presidiumit të Kuvendit unë kisha një obsesion dhe i thoja që ke mundësinë ta takosh e ke përball Ramiz Alinë, pse nuk i thua që nuk vazhdohet më kështu. Ai herë qeshte, herë e kalonte, herë thoshte se nuk është si mendon ti. Fiksimi im ishte që mos më dilte njëherë përball Ramiz Alia dhe në fakt nuk më doli përpara se unë nuk u gjenda atë ditë.

Blendi Fevziu:Në mos gaboj ju jeni takuar me Ramiz Alinë shumë vonë, kur morët Partinë Socialiste.

Kryeministri Edi Rama:I kam dhënë vetëm njëherë dorën dhe ia ka dhënë, madje një përshëndetje, as dorën nuk kemi shkëmbyer në një udhëtim teksa zbrisnim nga avioni. Nuk e kam takuar asnjëherë./tvklan.al