Kryeministri Edi Rama ka folur nga Berati, ku vizitoi punimet për maternitetin e ri, për rritjen e pagave  për mjekët e infermierët, por edhe për mësuesit.

Kreu i qeverisë ripërsëriti se do të bëhet një rritje e konsiderueshme e pagave. Edhe pse nuk tregoi shifra ekzakte, ai tha se qeveria konsideron që t’i rrisë rrogat në masën 40%.

“Do të bëjmë një ndërhyrje të fortë dhe do të jetë një rritje e konsiderueshme. Nuk dua të flas me shifrën finale, por besoj se do arrijmë në 40%. Faktikisht po e konkludojmë në këto ditë sepse duam ta bëjmë të kombinuar sëbashku me pagat e mësuesve dhe plotësojmë një zotim të marrë që do të kemi rritje 40% në këtë 4-vjeçar që po mbyllim për mësuesit”, tha Rama.

Përveç situatës aktuale të pandemisë, kreu i qeverisë e sheh rritjen e pagave si një mundësi të mirë, ku mjekët dhe infermierët shqiptarë të mos zgjedhin të shkojnë jashtë vendit, por të qëndrojnë në Shqipëri.

“Sa i përket mjekëve dhe infermierëve aq më tepër në kushtet aktuale, ku është një sfidë edhe më komplekse, por edhe për të garantuar që cilido mjek apo infermiere që do të ushtrojë profesionin këtu të ketë një pagë që të mos jetë inferiore në diferencë nga pagat që mund të marrë në Itali apo Gjermani, sepse aty mund ta ketë më të lartë, por paguan më shumë taksa etj. Por duke ruajtur edhe bonusin, që faktikisht është i konsiderueshëm për ata që lëvizin nga qendra e tyre, por edhe duke financuar në mënyrë dinjitoze ata që janë aty ku janë. Tani nuk ka pse diferenca mes pagës së këtushme dhe bonusit të jetë kaq e lartë. Diferenca do të jetë, ama ata që punojnë aty ku janë do të kenë një pagë shumë të mirë edhe për infermierët edhe për mjekët”, tha Rama. /tvklan.al