Sfida e sfidave për Ramën brenda Partisë Socialiste është vetë familja rozë. Gjatë fjalimit të tij në Asamblenë Kombëtare, kreu i qeverisë tha se duhet një sistem i ri i të menduarit. Ai u shpreh se rreziku në Partinë Socialiste, nuk vjen nga kundërshtarët politikë, por nga vetë përfaqësuesit e selisë rozë.

Ai bëri thirrje që të shikohen që tani rreziqet, që sjell e ardhmja dhe të shmanget rreziku që fitorja t’i mbyllë sytë PS-së.

“Na duhet një sistem i të ri i të menduarit dhe jemi në kohë për ta bërë sepse kemi eksperiencë, por bashkë me eksperiencën vjen dhe mungesa e vullnetit për të sfiduar vetë eksperiencën tënde. Nëse sot s’jemi si të tjerët kjo nuk është rastësisht, por falë shumë gjërave dhe gjithçka po them nuk ka asnjë qëllim, por nuk ka as edhe peshën të atillë që i zhbën gjërat e mëdha që kemi bërë. Prandaj jemi këtu. Ne fitojmë. Por që të mos bëhemi si të tjerët, që edhe kur bien me këmbët e tyre në pus nuk kuptojnë se nga u erdhi e keqja, ne duhet që t’i shohim që tani rreziqet që përmban udhëtimi drejt së ardhmes. Jemi më lart se ç’kemi qenë dhe sa më lart të ngjitesh aq më shumë rrezikon që rënien ta kesh katastrofike nëse kujton se këmbët i ke krahë që fluturojnë. Duhet t’i hapim sytë më fort se asnjëherë sepse kemi arritur fitoren tonë më të madhe, që të shmangim rrezikun që fitorja të na mbyllë sytë. Kjo fillon nga vetë ne, nga secili prej nesh këtu. Këtu janë përfaqësuesit më të lartë të pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe vendor. Rreziku dhe me qëllim po bëj përsëritje në këtë fjalë fillon nga sjellja prej të dehurish me fitoren dhe nga rënia në batakun e vetëpëlqimit. Fituam, kush është si ne, ça ka për ne tani këtu? Tani për ne ka shumë më tepër sakrifica. Rreziku merret nga bindja se askush nuk na mund dot ne sa të kemi në vend të opozitës këtë krijesën amorfe me dhëmballët e prishur që quhet PD. Rreziku vjen nga mendimi se ata nuk kanë ça i bëjnë PS. Ata të gjithë bashkë, të mblidhen, të stërmblidhen, stërhidhen, PS-së nuk kanë ça i bëjnë nuk e mundin. PS ka një kundërshtar më të rrezikshëm se ata. Jemi ne. Ne mund t’i bëjmë partisë atë që ata PS nuk i bëjnë dot. Ne jemi ata që PS ta kthejmë në zhgënjimin e qytetarëve dhe nëse PS është zhgënjim i tyre, PS kthehet në relike njësoj si simotrat e veta që dikur i shihte me admirim nga poshtë lart, por sot i ka humbur fara nëpër Europë. Sfida e sfidave është sfida mes nesh dhe vetvetes si individë dhe familje politike”.

Kreu i qevrisë foli për një riorganizim tërësor dhe tha se në statutin e partisë sa herë është ndërhyrë për ta thjeshtuar është komplikuar. Sipas tij PS duhet të ketë më pak rregulla burokratike.

“Ndërkohë një riorganizim tërësor nga lart  poshtë jo vetëm në aspektin e shpërndarjes së forcave në territor, por përfshirjes së përfaqësimit jo me fjalë, ku mblidhen njerëz për të dalë në televizor me mua dhe jepen karta anëtarësie për herë të dytë, apo ku thirren familjarë. Nuk kam asgjë me vajzat dhe djemtë e secilit prej jush apo të tjerëve. Flas për mungesën totale të kuptimit dhe besimit pse mund të ndodhë kjo që kjo parti të bëhet një hapësirë interesi për shumë më tepër për vajza dhe djem që të gjejnë këtu jo punën në shtet, por të gjejnë këtu atë burim nxitje dhe pasioni që gjejnë ku bëjnë aktivitet të tjera sociale. Ku ka aktivitet social më sfidues sesa politika dhe gara politike. Më thotë do një njeri një gjë, pse statuti i Partisë sa herë kemi hyrë për ta thjeshtuar është komplikuar. Na duhet një parti me pak rregulla burokratike dhe me shumë aktivitet politike sociale, dhe kulturore”, tha Rama./tvklan.al