Edi Rama fton investitorët e huaj të investojnë sa nuk është vonë dhe është ende lirë në Shqipëri.
Ftesën e bëri në takimin e organizuar nga Agjencia e Investimeve të Huaja për të fuqizuar markën “Made in Albania” që bëri bashkë 1000 sipërmarrës e agjenci zhvillimi nga 37 vende të ndryshme të botës.
“Është koha për të blerë qoftë dhe një gur në Shqipëri sepse nesër do jetë vonë, nesër të gjithë do duan të vijnë, të gjithë do duan të blejnë dhe do të jetë shumë e shtrenjtë për shumicën prej jush. Kështu që, çfarë do doni të blini, blijeni tani. Çfarëdo do donit të bënit, bëjeni tani sepse është një moment në kohë ku Shqipëria nis të lulëzojë dhe ende nuk është plotësisht e njohur për potencialin që ka dhe për mundësitë e jashtëzakonshme, por kur të gjithë ta marrin vesh, nuk do të jetë kaq e lehtë sa ç’është sot”, tha Rama.
E diçka që mund të jetë fitimprurëse e që kryeministri thotë se është ende e lirë në Shqipëri është prona në malet e vendit ku ka sipas tij një potencial të madh për turizmin.
“Për të gjithë ata që e njohin Shqipërinë përmes detit apo përmes qyteteve të saj dhe mendon që ka parë më të mirën po ju them që më e mira është në male dhe çfarëdo që dikush do të bëjë sot në male është diçka që do t’i shpërblehet në një mënyrë të shumëfishtë”, tha Rama.
Organizatorët pohojnë se ky takim u pa si shumë i nevojshëm për të shfaqur potencialin e Shqipërisë dhe për të krijuar bashkëpunime të reja me kompani botërore.
Për 2024, shifrat zyrtare flasin 1.58 miliard Euro investime të huaja drejtpërdrejta që kanë kryer në vendin tonë.
Tv Klan