Kryeministri Edi Rama është shprehur i gatshëm që të marrë pjesë në tryezën e Këshillit Politik për të diskutuar mbi ndryshimet kushtetuese dhe kundërshtive që ka Partia Demokratike.

Në një postim në Twitter, kreu i mazhorancës shprehet se akoma më mirë do ishte që në këtë tryezë të marrë pjesë edhe kreu i PD Lulzim Basha dhe Presidenti Ilir Meta.

“PS nuk ka asnjë obligim ndaj PDLSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund! Por nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik, PS s’ka si të jetë kundër, madje megjithë OP në tryezë!

PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PDLSIOP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë, e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë, ku po erdhi dhe LB apo edhe IM nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën!” /tvklan.al