Shqipëria me 10 milion turistë, çmimi i energjisë më i ulëti në rajon
Kryeministri Rama në një lidhje online me samitin vjetor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që u mbajt në Londër përmendi faktin se deri përpara disa kohësh investitorët e cilësonin Shqipërinë si vend të rrezikshëm dhe të pavizitueshëm.
“Uë jam veteran i këtyre formateve sepse kam qenë i pranishëm qëkur ka lindur ky format përpara 10 vitesh. Për 10 vite kanë ndryshuar shumë gjëra përveç sasisë dhe ngjyrës së flokëve të mia. Rajoni po shkon mirë dhe bota po ashtu po ndryshon. Shqipëria ka ndryshuar shumë. Prej një vendi me stigmën e një vendi të pasigurtë jemi tashmë një vend i cili vitin e kaluar arriti një shifër prej 10 milion turistësh, më shumë se trefishi i popullatës që kemi.”
Sipas Ramës shtetet e rajonit duhet t’i lënë mënjanë mëritë e të së kaluarës pasi janë të detyruara të bashkëpunojnë për të krijuar një treg të përbashkët tërheqës për investitorët e huaj.
Kryeministri përmendi faktin se para se ai të vinte në pushtet sistemi energjetik i Shqipërisë ishte gati duke u shkatërruar, për shkak se shumica e popullatës nuk paguante faturat.
“Më parë sistemi energjetik i Shqipërisë ishte gati duke u shkatërruar për shkak se shumica e popullatës nuk i paguante faturat. Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri nuk ka ndryshuar dhe jemi me tarifat më të ulëta se shtetet e tjera të rajonit. Në fund të vitit të kaluar borxhi publik i Shqipërisë shëni rënie historikë nën 60%.
Kryeministri përmendi si arritje edhe nismën Ballkani i Hapur e sulmuar padrejtësisht edhe pse përfaqëson zbatimin pa burokraci të lirive themelore që zbaton BE-ja.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se integrimi rajonal do të përshpejtojë integrimin e shteteve ballkanike në tregun e Bashkimit Evropian. Të njëjtin mesazh e paraqiti online edhe komisioneri Oliver Varhelyi, sespe sipas tij puna më e rëndësishme nuk bëhet as në Bruksel, as në Londër, por në secilin vend të Ballkanit Perëndimor individualisht. Banka Europiane është një nga investitorët më të mëdhenj institucional në rajon, duke investuar më shumë se 18 milardë euro në projekte rajonale dhe ndërkufitare.
Ky ishte samiti i gjashtë i BERZH-it me shtetet e këtij rajoni që nga muaji shkurt i vitit 2014 ku u mblodhën për herë të parë të gjithë kryeministrat e rajonit.
Klan News