Bushati e Ndoja rrëfejnë se përse u kthyen në Shqipëri

Të vetmit që nuk ishin ngjitur në studion e tij ishin basketbollistët, ndaj si një i apasionuar pas këtij sporti kësaj radhe Edi Rama kishte përzgjedhur që protagonistë në podkastin e tij të ishin Klaudio Ndoja dhe Franko Bushati.

“Mirë se keni ardhur në përpjekjet pa fund për ndryshimin e këtij vendi në fushën tuaj të kompetencës”, tha Rama.

Ndonëse suksesin e tyre e arritën në shtetin fqinj Italinë, ku edhe mërguan në moshë të re, dy shtatlartët, të cilët në kampionatin italian dhuruan spektakël me zbritjet e tyre në parket, rrëfyen se përse vendosën të ktheheshin në Shqipëri, aty ku edhe lindi pasioni i tyre për basketbollin.

“Lidhja me Shqipërinë ka qenë gjithmonë shumë e fortë. Por kur më erdhi mundësia vendosa të kthehem në Shqipëri”, tha Franko Bushati.

“Kur luan për Italinë luan për ekipin, ndërsa tani përgjegjësia është më e madhe pasi luajmë për 3 milionë banorë”, tha Ndoja.

Rikthimin dhe angazhimin e tyre pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit, Kryeministri Rama e sheh si një mundësi pozitive për të kontribuar në fushën e sportit.

“Ju vini në një moment kur tani kemi nisur lëvizjen sportive në shkolla. Tani të gjitha shkollat që rindërtohen janë pajisura me infrastrukturën sportive. Këtë vit kemi përfshirë edhe fëmijët 8 vjeç dhe do ta zgjerojmë lëvizjen sportive në shkolla”, tha Rama.

Klaudio Ndoja, ish-basketbollist i Kombëtares dhe kampion i Italisë me Virtus Bologna, që prej vitit të kaluar është edhe menaxheri i ri i Federatës Shqiptare të Basketbollit, ndërsa Franko Bushati, i cili njohur ndryshe me nofkën “Kobra”  në karrierën e tij të suksesshme në Itali mban detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit.

Tv Klan