Një ftesë e Kryeministrit Rama e bëri Tonino Lamborghinin, trashëgimtarin e Ferruçio Lamborghinit, themeluesit të perandorisë në fushën e mekanikës dhe automobilave luksoze që të vizitojë për herë të parë Tiranën.

Befasinë me të cilën u përball gjatë qëndrimit në kryeqytet, nga pastërtia e deri tek siguria i’a shprehu edhe Edi Ramës, i cili zgjodhi ta bëjë protagonist në podkastin e tij.

“Gjithçka është e pastër, në vendin e vet, pa zhurmë. Eshtë për të ardhur keq që njerëzit mendojnë se Shqipëria është ende një vend, ku të thonë, “ki kujdes, kujdes”. Po ç’kujdes! Me kujdes shkoj në Milano, me kujdes shkoj në Napoli, kurse, këtu vij dhe mund të lëviz rehat”.

Tirana i duket e mrekullueshme dhe për këtë meritën ia njeh mikpritësit, i cili komplimentat i’a kthen me batutë.

Lamborghini: Urime juve që e drejtoni prej shumë vitesh këtë vend, nuk mund t’ju them dot tjetër përveçse “bravo”.

Kryeministri Rama: Që t’u pëlqesh të gjithëve o duhet të kesh vdekur, o duhet të jesh i vdekur për gjumë.

Duket se arsyeja e ftesës së Lamborghinit në Tiranë është dëshira që kryeminsitri ka për ta bërë atë “brand” në fushën e turizmit edhe në Shqipëri.

“Ka kaq shumë për të bërë në Shqipëri, që, në disa aspekte, është pak si Italia e gjyshërve tuaj, me mangësitë, po edhe të mirat”.

Dëshirë të cilën as vetë lamborghini se fshehu aspak.

“Është kaq e vërtetë kjo, sa kam dëshirë të marr pjesë, qoftë edhe me diçka të vogël, shumë të vogël, para se të jetë shumë vonë, do të doja sikur edhe pak, fare pak të vendosja… duhet të kem se s’bën një apartament për vete dhe për fëmijët, patjetër. Është e shëmtuar ta thuash kështu “ende për t’u eksploruar”, po për hir të Zotit”.

Në podkastin e Kryeministrit, djali i themeluesit të makinës “Lamborghini” tregoi edhe përplasjen me Ferrarin, që u bë shkak për ndërtimin e fabrikës dhe kalimin nga prodhimi i traktorëve tek makinat luksoze.

Tv Klan