“Ndajmë biznesin e ligjshëm nga ai kriminal”

Dixhitalizimi i shërbimeve, programi i fiskalizimit, por dhe ligji i njohur si anti KÇK, për Kryeministrin janë masa që do të rrisin klimën e të bërit biznes. Në Forumin Ekonomik të Tiranës, Rama tha se përmes këtij ligji do t’i jepet mesazh i qartë si biznesit të ligjshëm ashtu dhe atij kriminal.

“Ajo që do të bëjmë në ditët në vijim, pasi të kemi mbyllur diskutimet e brendshme me partnerët tanë europianë, amerikanë dhe ekspertët e të dyja palëve, lidhur me ndarjen në mënyrë jashtëzakonisht shumë të qartë të bizneseve legjitime dhe bizneseve kriminale. Që do të thotë që nga njëra anë të punojmë sa më shumë që bizneset legjitime të kenë një trajtim më të mirë e një mjedis më të mirë pune, që të kenë shumë më tepër kapacitete për të projektuar për të ardhmen, pa u përballur me ngjarje të paparashikueshme, si nga ana e administratës, apo nga faktorë problematikë dhe e dimë që një nga faktorët më problematikë mund të jetë krimi i organizuar dhe zhvatja. Kështu që do të bisedojmë dhe do të arrijmë marrëveshje për një sulm jashtëzakonisht të madh kundër krimit të organizuar, duke i kërkuar çdo personi të dënuar dhe të akuzuar për krim të organizuar deri tani, të provojë që asetet që ai ose ajo ka, vijnë nga biznese legjitime, ndryshe të gjitha asetet do të konfiskohet e do të merren”.

Rama u kërkoi organizatorëve të këtij forumi që ta kthejnë në një mekanizëm për të rritur bashkëpunimin real ekonomik në  rajon. Pa u ndalur në shifra konkrete, Kryeministri tha se në të gjithë treguesit makroekonomikë, vendi ka njohur rritje pozitive, por në mënyrë në veçantë sipas tij, është rritur punësimi dhe investimet e huaja.

Tv Klan