Paketa antishpifje, temë e nxehur artificialisht

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në parlament tha se gazetarët të cilët protestojnë kundër paketës anti-shpifje nuk e lexojnë dhe nuk u intereson që ta dinë se çfarë thotë kjo paketë.

Sipas analizës së bërë, Rama tha se janë tre qasje ndaj fyerjes dhe shpifjes, ku 20 shtete e parashikojnë atë si vepër penale dhe e dënojnë me burg.

“Te jemi të qartë për çfarë flasim ne dhe ku është bota sot. Së pari, që ta marrin vesh të gjithë se këtu jemi përballë një turme që nuk lexon dhe që madje nuk denjon të lexojë dhe që madje-madje e thotë hapur, nuk na intereson fare të dimë çfarë thuhet në ligj se ne nuk duam ligj. Sipas një raporti të OSBE, në ¾ e shteteve anëtare fyerja dhe shpifja është vepër penale. Nga analiza e thellë që është bërë për të bërë këtë ligj, 28 teksteve ligjore të BE rezulton se ka tre qasje ndaj fyerjes dhe shpifjes. Së pari, 20 shtete parashikojnë fyerjen dhe shpifjen si vepër penale që dënohet me burg.

Pesë shtete nuk e parashikojnë fyerjen si vepër penale, por e rregullojnë me pasojat e tyre në legjislacionin e tyre civil. Anglia zbaton gjobën më të lartë që shkon në 200 mijë stërlina. Tre shtete e parashikojnë fyerjen dhe shpifjen si vepër penale dhe dënim me gjobë dhe jo burg. Legjislacioni më i ashpër është ai i Republikës Federale të Gjermanisë. Kodi Penal parashikon 11 vepra penale për fyerjen dhe shpifjen. Në SHBA, FBI ndërhyn pa vendim gjykate fare, pa asnjë vendim gjykate dhe mbyll me urdhër çdo lloj website, çdo lloj përmbajtje që kërcënohet cënuese në shumë aspekte.

Gjithë kjo punë e bërë për të analizuar shtetet e BE-së dhe gjithë entuziazmi për të ndërtuar një ligj që i referohet këtyre shteteve ndeshi qysh në fillim pengesën e përfaqësuesve të BE-së, OSBE dhe KiE, në formën mos iu referoni këtyre shteteve se i kanë ligjet shumë të ashpra. Nuk janë këto shtete që duhet të ndiqni. Nëse ligji gjerman do të kishte subjekte, ata që janë te dera e parlamentit, ata sot do të ishin me borxhe për të paguar pafundësinë e detyrimeve si rezultat i shkeljeve të drejtave të njeriut. Ata janë shkelës së të drejtave të njeriut që të mos i cënohet në publik integriteti i tij. Në 26 Nëntor ka humbur jetën një njeri i pafajshëm si rezultat i atyre lajmeve. Dikush ka nxjerrë lajmin se spitali i Durrësit po shembet. Dalja e lajmit e ka thyer spitalin si në vend pritës në udhëkryqin e një kaosi, me mjekë, familjarë e të sëmurë që donin të dilnin nga dera e spitalit. Deri këtu shkoi efekti negativ i fjalëve të lëshuara pa asnjë përgjegjësi”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se kjo paketë është konsultuar një vit rresht.

“Kam pasur komunikim edhe me ata të BE dhe KiE dhe u kam thënë që nuk e keni lexuar ligjin. Jeni në presionin e organizatave të rreme”, tha Rama. /tvklan.al