Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kanë inspektuar sot strukturën e re spitalore për përballimin e situatës së pandemisë së Covid-19.

Kreu i qeverisë u shpreh i kënaqur me përfundimin e kësaj strukture, ndërsa shtoi se situata në vendin tonë me këtë infeksion u përballua mjaft mirë, por nëse do të ketë një valë të dytë ky spital është përgjigjja e duhur.

Ndërkaq në një komunikim me gazetarët, Rama tha se njerëzit nuk dihet ta harrojnë se virusi nuk ka ikur ende dhe se kujdesi duhet të jetë sërish i lartë.

 “Virusi ende nuk ka ikur… Në kushtet kur e kemi kufizuar jetën nga pikëpamja e lirive, është e qartë se përgjegjësia tani nuk është më vetëm e qeverisë, por e përbashkët me çdo qytetarë“.

U desh kjo kohë për të kuptuar se sa shumë na merr malli për njëri-tjetrin. Nuk bëjmë dot pa njëri-tjetrin”, iu drejtuar Rama gazetarëve.

Por gjatë komunikimit, Rama u pyet se përse u prit kaq gjatë për të nisur punën për këtë spital të ri, gjë që kushtëzoi trajtimin e pacientëve kronikë me sëmundje pulmonare apo malinje.

Kryeministri tha se kjo strukturë nuk do të ndryshonte planifikimin ose riplanifikimin e aktiviteteve rutinë në spital.

Pyetja që në thelbin e vet ka një të vërtetë të madhe, është një pyetje që kërkon, dhe do ta keni, përgjigjen e ministres, por është një e vërtetë e të gjithë planetit jo e Shqipërisë. Sot që flasim, jo sot në vitin 2020, por sot, në datën e sotme, në SHBA ky është një diskutim shumë i madh lidhur me spostimin e një sërë aktivitetesh shëndetësore për të krijuar hapësirë në luftën me virusin. Në nuk pritëm, dhe kjo strukturë nuk ka lidhje me këtë që toni ju, se u bë se nuk u bë kjo strukturë, kjo nuk do të ndryshonte planifikimin ose riplanifikimin e aktiviteteve rutinë. Gazetari ka të drejtë të kërkojë informacion për gjithçka, por nuk ka të drejtë të hyjë me forcë në një spital Covid, kjo nuk hynë në të drejtën e gazetarisë. Më vjen mirë që iu ndaluan të hyni në spital dhe kështu mbrojtët jetën tuaj dhe të të tjerëve. Edhe një herë do t’ju lutesha të respektoni etikën e profesionit tuaj sepse këtu keni ardhur të bëni pyetje apo komente, por jo debat”.

Pyetjes i ka dhënë përgjigje më të detajuar ministrja Manastirliu.

“Të gjitha sistemet shëndetësore në botë janë përballur me këtë sfidë për të trajtuar pacientët me Covid dhe për të trajtuar me prioritet sëmundjet e tjera që nuk presin dhe sidomos sëmundjeve malinje. Ne vendosëm që për asnjë moment të mos pezullonim aktivitetin kirurgjikal për patologjitë malinje”. /tvklan.al