Kryeministri ripërsërit zotimin për rritje të pagës për mësuesit me 40 përqind

Kryeministri Edi Rama vijoi këtë të martë me prezantimin e programit të Partisë Socialiste për Arsimin, “Shkolla dhe universiteti në planin e veprimit 2021-2025”. Teksa ripërsëriti se në mandatin e tretë pagat e mësuesve do të rriten me 40 përqind, ai prezantoi disa prej pikave të vizionit socialist për shkollat.

“Ne nuk vijmë sot në fushën e kësaj ndeshjeje me një menu dëshirash për të gjithë, “Kap Ça të Kapësh”, të quajtur plan elektoral, por vijmë me një plan veprimi të studiuar mirë, është konsoliduar dhe është aty për t’u zbatuar me të gjithë mbështetjen financiare të përllogaritur. Ne nuk jemi KÇK, por jemi qeveria sot dhe qeveria nesër e Shqipërisë. Gjuha angleze do të nisë të mësohet kudo në të gjitha shkollat e vendit që në klasë të parë në të gjithë Shqipërinë. Është koha që të gjithë fëmijët të mësojnë anglishten dhe gjuhën bazë të komunikimit dixhital nga ana tjetër. Vizioni “Shqipëria e ardhmja jonë” kërkon që qysh sot të fillojmë të pajisim brezin tjetër me dijet bazë të të dyjave si dhe ta zhdërvjellësojmë hap pas hapi sistemin tonë arsimor në shkenca, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Bazuar në modelin e  parë të ngritur në Tiranë i cili do të zhvillohet më tej tek Piramida e diktatorit, e kthyer në një epiqendër të Shqipërisë së të ardhmes, ne do të çelim programin e parë 10-vjeçar të kodimit, për fëmijët 12-18 vjeç dhe do të hapim për ta qendra të dedikuara të hyrjes në botën dixhitale. Jo në iPhone dhe iPade, por në botën dixhitale ku fëmijëve do t’u prezantohen themelet e saj, do t’u mësohet graviteti i saj, do t’u jepen njohuri për ndërveprimet brenda saj. Qendra e parë është kjo e Tiranës, të tjerat do të ngrihen në Shkodër, Dibër, Vlorë, Korçë, Kukës, Berat dhe hap pas hapi do ta shtrijmë në krejt Shqipërinë. Gjithashtu do të çelim programin e parë të arteve dhe zejeve për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme, për të ushtruar mendjen dhe duart përmes krijimtarisë në përpjekjen e domosdoshme jetike, si detyrim që ua kemi fëmijëve tanë që bota e telefonave dhe ipadëve mos të marrë peng mendjen shqisat dhe trupat e tyre. Edukimi fizik do të zenë një vend më të rëndësishëm në jetën e sistemit tonë arsimor, nga klasa e parë deri  në universitet”.

Rama tha gjithashtu se do të ketë një profil të ri të drejtuesve të shkollave. Po ashtu sipas tij do të marrë fund mësimi me dy turne.

“Këtu kemi trashëguar një boshllëk të madh. Shkollat u kthyen në kulla ku emëroheshin si roja dhe kryeroja e kullës, militantë dhe ku padyshim ka pasur dhe ka plot njerëz të mirë dhe të dedikuar që vijnë nga mësuesia. Të drejtosh një shkollë për Shqipërinë se ardhmja jonë do të thotë shumë më tepër se kaq, do të thotë të menaxhosh një sistem të një qendre komunitare. Kemi nisur këtë proces me shkollën e drejtorëve. Është instaluar në Shqipëri dhe po jetësohet hap pas hapi. Deri në vitin 2025 të gjithë drejtuesit e shkollave do të licencohen nga Shkolla e Drejtorëve si menaxherë të kualifikuar për të drejtuar një qendër komunitare ku mësimi, aktivitete jashtëshkollore, komuniteti, janë bashkë.  Mandati i tretë do të sjellë fundin e mësimit me dy turne për shkak të mungesës së klasave. Eksperienca e krijuar gjatë pandemisë do të kthehet në bazë për mbyllje përfundimtare edhe të praktikës së vjetër të klasave kolektive”.

Rama akuza opozitës për universitetet: Rropët për herë të dytë familjet shqiptare pas firmave piramidale

Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza ndaj opozitës dhe tha këtë të martë se gjatë drejtimit të saj universitetet u kthyen në një biznes. Ai u shpreh se universitetet në kohën e drejtmit të PD u organizuan për të kryer rrjepjen e dytë më të madhe shtetërore të familjeve shqiptare pas asaj të firmave piramidale. Po ashtu kreu i qeverisë tha se shkollat e rindërtuara pas tërmetit kanë të njejtat kushte si shkollat e vendeve të Bashkimit Europian.

“E gjithë infrastruktura shkollore është në një transformim të vazhdueshëm. Deri sot ne kemi investuar 130 milionë dollarë për 263 shkolla të reja ku mësojnë 114 mijë nxënës. Këtë vit vazhdon papushim me 3 turne, në të shumtën e herës rindërtimi i 120 shkollave të reja për 40 nxënës të tjerë. Të gjithë i kanë para shkollat e rilindura pas atij tërmeti të 15 muajve të parë. Shkolla fantastike, pa asnjë dallim nga shkollat më të mira, jo nga çdo shkollë por nga më të mirat e Be-së me arkitekturë të standardeve të larta. Shkolla me kushte optimale, shkolla, qendra të mirëfillta komunitare. Por thënë gjitha këto jam unë i pari që shtoj, nuk mjaftojnë. Vizioni 2030 për shollën shqiptare shkon shumë më tej se kjo dhe ambicia jonë është shumë më e madhe se kaq, sesa infrastrukturë e standardeve europiane.

Nuk mjaftojnë pagat e mësuesve që ua kemi rritur 32% përqind dhe prandaj në mandatin tonë të tretë do t’ua rrisim 40%. Nuk mjaftojnë as ato që kemi bërë në arsimin e lartë për universitetet. Por universitetet kur këta, ja dolën, e nxorrën kokën sapo dëgjuan fjalën universitet, vijnë nga universiteti këta, këta që duan të rikthehen në drejtimin e arsimit janë ata që morën në qafë breza të tërë studentësh me kristale, vitrinat, ufot, llamarinat, magazinat e shitblerjes së diplomave, duke organizuar rrjepjen e dytë më të madhe shtetërore të familjeve shqiptare pas asaj të firmave piramidale në këmbim të gënjeshtrës së dytë më të madhe të arsimimit të lartë për të gjithë pas asaj të pasurimit merr 1 e jep 2. Duke nxjerrë rrugëve të Shqipërisë numrin më të lartë të juristëve për kilometër katrorë në kontinentin tonë.  U kthye hyrja në universitet në një biznes”, tha Rama.

Rama: Krenar kur fëmija i një VIP-i nuk e meriton të hyjë në universitet

Në fjalën e tij Rama është shprehur se ndihet mirë për faktin që në Shqipëri nxënësit dhe studentët janë vlerësuar me merita dhe jo me para.

Më tej ai shton se është krenar kur fëmija i një VIP-i nuk e meriton të hyjë në universitet dhe nuk del i pari në konkurrencë me fëmijën e çobanit apo infermierit.

“Jam krenar për një arritje që e kanë prekur, e kanë jetuar, shijuar, vlerësuar, maturantët pa lekë, pa krushq, pa miq, pa litar partie në qafën e tyre të njomë. Por me 10-ta, me dije dhe aftësi të spikatura që nga majat e maleve dhe nga zonat e largëta e deri në qendrat e qyteteve. Fëmijë të shkëqyer familjesh me ndihmë ekonomike apo prindërish pa mbiemra të njohur që falë rivendosjes së konkurrëncës dhe meritës për herë të parë në historinë e dhimbshme dhe të lodhshme të këtij tranzicioni. Në sistemin e hyrjes në universitet i gjen çdo fundverë në krye të listave hyrëse. Zotër të vetes dhe gurë të rëndë në vendin e vetë. Ku askush nuk i lëviz dot që vendin t’jua zërë dikush me lekë, taraf, me mbështetje partie apo me një mbiemër të njohur. Jam shumë krenar kur fëmija i një VIP-i nuk e meriton të hyjë në universitet në atë fakultet që i ka vënë syrin për të fituar një vend pëllumbash më vonë, nuk shans të hyjë. Apo kur del mbrapa fëmijës së një çobani apo fëmijës së një infermieri, nuk ka shans ta parakalojë. Sepse sistemi i hyrjes në universitet është digjital, meritokratik, transparent dhe i pamanipulueshëm”, deklaroi Rama.

Rama kapet me kandidatët e opozitës: 3 ministrat e Arsimit të KÇK-së

Kryeministri Edi Rama tregoi këtë të martë planin e veprimit 2021-2025 për shkollat dhe universitetet. Kreu i qeverisë u shpreh se Partia Socialiste i ka kthyer meritën mësuesve ndërsa ka deklaruar se ata nuk përdorën më si në kohën kur opozita ishte në drejtim.

“Mësuesit viheshin në rresh dhe mbushnin sheshet dhe mitingjet elektorale të kryeministrit të kohës si të ishin figurantët e paradave të dikurshme të 1 Majit komunist. A ju kujtohet, ishte vetëm 1 dekadë më parë, rasti skandaloz kur mësuesit u përdorën për t’i bërë karshillëk opozitës që protestonin për hapjen e kutive të votimit. Sot mitingjet e kryeministrit në oborret e shkollave ku fëmijët dëgjonin të sharat për opozitën duken si pjellë e një fantazie të shkurtër. Por në një kohë jo të largët kur drejtonin këta që duan të rikthehen në drejtim për ta vënë arsimin nën hyqmin e Markut, të Gjekmarkut, ishte realiteti i hidhur i marrëdhënies së pushtetit me shkollat. Ja ku i keni tre ministrat e Arsimit të KÇK-së. Dy personazhe autosatirike e klubeve të natës mediatike dhe një zonjë që njihet për fjalorin sharës-shpifës, foltore më foltore të tre reaksionarë. Sharrëxhinj, si sharrëxhinj, sharro me sharrë, dhe shajgjinj, shaj e shaj. Kujexhinj si vër kujën për çdo gjë që bëhet, për çdo punë që niset. Vetëm imagjinoni njërin, kapni njërin nga tre në krye të arsimit dhe merrni me mend fëmijën tuaj, mësuesin e fëmijës tuaj, shkollën e fëmijëve tuaj, larg qoftë, në duart e kujtdo prej këtyre të treve”, tha Rama./tvklan.al