Klimën e mirë në të cilën po zhvillohen bisedimet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Shqipërisë e Greqisë, kryeministri Rama e konfirmoi në një intervistë për agjencinë shtetërore greke “ANA”, ku foli për takimin e frytshëm që pati në Londër me homologun grek, Aleksis Tsipras. Dy vendet kanë hedhur prej kohësh në diskutim çështje të së kaluarës, por edhe rinegocimin e marrëveshjes për kufirin detar, për të cilat kryeministri thotë se po shkojnë drejt zgjidhjes.

Siç e dini, ne po përballemi me një proces të vështirë, por absolutisht të nevojshëm për zgjidhjen e çështjeve mes nesh, Shqipërisë dhe Greqisë. Gjëja më e rëndësishme është se ne i përdorim këto probleme jo vetëm për t’i zgjidhur ato, por edhe për ta transformuar zgjidhjen në një nivel të ri të partneritetit dhe bashkëpunimit.

Për kryeministrin shqiptar, është koha që dy vendet të tejkalojnë ndasitë e së kaluarës përmes një procesi të natyrshëm të dialogut dhe bashkëpunimit.

Të dy vendet kanë pasur marrëdhënie për shtatëdhjetë vjet, të cilat janë karakterizuar nga lidhje gjithnjë e më të natyrshme midis njerëzve. Është shumë e natyrshme dhe në një farë mënyre përmes zgjidhjes do të arrijmë në nivelin e njerëzve normalë, të qytetarëve mesatarë që tashmë e kanë kapërcyer të kaluarën dhe janë përqafuar me njëri-tjetrin.

Mediat greke i bënë jehonë të madhe takimit të dy kryeministrave në Londër dhe vullnetit për të nënshkruar së shpejti një marrëveshje që u jep zgjidhje disa problemeve që lidhen me pronat e shqiptarëve në Greqi, kufirin detar dhe të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Angazhimi i liderëve politikë të dy vendeve për të zgjidhur çështjet e mbetura peng u përshëndet edhe nga komisioneri i Zgjerimit, Johanes Hahn.

Tv Klan