Rama mohon akuzat për inceneratorët



Rama mohon akuzat për inceneratorët

15:42 21/10/2020

“Projektet në infrastrukturë jo për kredo elektorale”

Edi Rama injoron çdo akuzë që vjen për lidhje të ministrave të tij me përfituesit e koncesioneve të inceneratorëve. Ai mjaftohet të flasë vetëm për rëndësinë që kanë këto investime për perpunimin e mbetjeve.

Unë nuk merrem me survejime në vrimën e çelësit, se kush është bashkëshorti i kujt dhe kush udhëton me kë. Shikoj gjendjen e plehrave sot dhe dje”.

Kur pyetet për naftëtarët që prej javësh janë futur në grevë urie, Kryeministri shpreh gatishmërinë për t’u ulur në bisedime me kushtin që ata të dalin nga greva, pasi këtë formë proteste Rama e sheh si presion e që për të është e papranueshme.

“As një presion, asnjë ultimatum, i asnjë forme nuk funksionon me mua. Duhet të dalin nga greva, jam i gatshëm sot në sekondë që të fillojmë të bisedojmë me ta.”

Në konferencën për shtyp, këtë javë me fokus tek infrastruktura, Rama dhe Ministrja Balluku renditën të gjitha projektet që kanë nisur, ose që nisin në infrastrukturën rrugore, portuale dhe aeroportuale, projekte që kanë të përbashkët vitin kur nisin të zbatohen ose kur përfundojnë, 2021 viti që përkon me zgjedhjet parlamentare. Por Kryeministri ka një shpjegim të tijën për të hedhur poshtë aludimet se janë të gjitha projekte elektorale.

Projektet për të cilat ne flasim nuk janë asfalt elektoral, siç bëheshin në të shkuarën. Ne jemi në përmbushje të objektivave të mandatit. Ne nuk kemi nevojë për asnjë nga këto për të fituar zgjedhjet”.

Pa modesti dhe duke i besuar krejtësisht sondazheve të përjavshme që bëhen nga selia rozë, përsëriti se mandatin e 3 do ta marrë me apo pa këto projekte të rëndësishme.

Nëse zgjedhjet bëhen ditën e diel, ne dalim më mirë, ata dalin më keq se sa në 2017″.

Aeroporti i Kukësit përsërit se do të jetë gati para 25 Prillit, për atë të Vlorës rendit disa nga pengesat që janë hasur në procedura, i Sarandës shumë shpejt do të hapet gara, por dhe portet, ai i Durrësit që do të transferohet, Vlora dhe Saranda e Shëngjini, ku ka projekte ambicioze por, dhe rrjeti hekurudhor, janë të gjitha projekte me financim nga buxheti apo institucione ndërkombëtare, që Rama dhe Balluku premtojnë se do ta bëjnë Shqipërinë një vend ku turizmi do të njohë një rritje të jashtëzakonshme.

Rama pranon dështimin me projekte si ai për portin e Karpenit.

Kemi pasur edhe zmbrapsje, kemi pasur edhe zhgënjime tona, përpjekje që nuk kanë konkluduar siç është rasti i Karpenit”.

Për rrugët e reja, Rama përsëriti se pjesa më e madhe do të jenë me pagesë, por të gjitha do të kenë segmentet alternative ku do të lëvizet me shpejtësi më të ulët, por pa pagesë.

Tv Klan





Të ngjashme