Qëndrimi për të mos komentuar asnjë vendim apo proces të nisur nga SPAK-u për 5 vite të funksionimit të tij, Edi Rama e quan heshtje strategjike. Synimi, sipas tij ishte i qartë t’i krijohej mundësia institucioneve të drejtësisë të rrisnin vetëbesimin edhe pse pranon se jo në pak raste Struktura e Posaçme kishte dhënë shenja shqetësuese për shkelje të standardeve.
“Heshtëm totalisht 5 vjet rresht, 5 vjet e më shumë madje, jo se nuk pamë probleme, jo se nuk u skandalizuam në ndonjë rast apo s’e nuk e patëm ndjeshmërinë ndaj një trysnie që ka shkuar hera-herës deri në absurd mbi punonjësit e administratës, por ne heshtëm strategjikisht, heshtëm për të garantuar një atmosferë, ku pavarësia e institucioneve të reja të drejtësisë të mund të konsolidohej.”
Në përgjigje të një akuze që i vjen nga një ndjekës në rrjete sociale se po sulmon drejtësinë për të mbrojtur ministrat e korruptuar, Rama përpiqet t’i tregojë se në fakt ka bërë të kundërtën, e ka mbështetur dhe do ta mbrojë SPAK-un që kundërshtari i tij që prej disa vitesh nuk i drejtohet me emra por me etiketime, do ta shkrijë.
“Tani që pavarësia më duket se është shalqi me provë, – kur thotë populli – madje është qartësisht burimi i një vetëbesimi të Prokurorisë dhe të Gjykatës Speciale, ne do të flasim për forcimin e demokracisë dhe do të jemi kritik sa herë që nga drejtësia të shkelen standardet demokratike. Unë mendoj që të kërkosh standardet demokratike në një proces të drejtësisë, aq më tepër për të zgjedhurit nga populli në krye të Bashkisë së Kryeqytetit, që merret nga zyra e çohet në burg pa u shpallur akoma i pandehur e lëre më fajtor, nuk është aspak sulm ndaj drejtësisë; të kërkosh që drejtësia e re të kuptojë se qëllimi i lartë nuk i justifikon në asnjë mënyrë mjetet e ulëta, nuk është sulm ndaj drejtësisë, por është detyrim.”
Argumentat e tij përse nevojitet kritika, por jo sulmi, Rama i shoqëron me shembuj të funksionimit të drejtësisë në një shtet demokratik dhe asaj ku rrezikon sipas tij të bjerë drejtësia e re, në një shtet autokratik.
“Në autokraci prokurori dhe gjykatësi janë një, një trup i vetëm kundër të akuzuarit, ndërsa në gjyqin demokratik, jo vetëm janë të ndarë, por gjykatësi është mbi palët dhe të akuzuarit dhe akuzuesit janë tërësisht të barabartë para ligjit dhe para gjykatësit. Nëse kjo premisë themelore nuk respektohet dhe nëse ka shenja që thonë se abuzimi me pavarësinë e pushtetit të drejtësisë mund të bëhet një rrugë pa siguri juridike në trupin e shoqërisë, atëherë problemi nuk është më thjesht i atyre që keqtrajtohen direkt nga një pushtet që fryhet me vetveten, por është një problem për vendin, është një problem për shoqërinë dhe si i tillë është patjetër dhe i imi si kryeministër, por edhe i yti si qytetar.”
Për Kryeministrin, nëse drejtësia lihet të shkelë të drejtat dhe barazinë e individëve dhe të cënojë pushtetet e tjera kushtetuese, rrezikon të kthehet në kërcënim për të gjithë vendin.
“Një drejtësi e pavarur, por e çalë profesionalisht dhe shpërfillëse ndaj lirive dhe të drejtave kushtetuese dhe ndaj ndarjes kushtetuese të pushteteve madje, mund të kthehet në një kërcënim për vetë demokracinë, në një problem real për shoqërinë, në një pengesë për ekonominë, por duke mos heshtur kur këta të fundit e tejkalojnë kornizën e ligjit me galloshet e Maliqit dhe prokurorë e gjykatës bëhen një galloshe e vetme, si në diktaturë apo në autokraci, jo largqoftë në asnjë mënyrë duke shkrirë SPAK-un apo duke kërcënuar SPAK-un, të cilin duhet ta mbrojmë medoemos në radhë te parë nga bufi dhe nga llumi i kënetës, edhe me votën tonë në 11 Maj, por patjetër dhe nga rreziku i hyrjes së vetes në qejf kur i thonë fjalës.”
Në fund të komunikimit “Sy m’Sy”, Rama duket se zbulon dhe sloganin e fushatës së 11 Majit, ku shqiptarët sipas tij do ta kenë shumë të lehtë për të zgjedhur me votë.
“Tani zgjedhja nuk ka qenë kurrë më e qartë; o me mua në Evropë, o me bufin e kënetës prapë atje në gropë!”
Tv Klan