Berisha: Boll vodhe, ik!

Kryeministri Edi Rama është shprehur gjatë fjalës së tij në parlament që Partia Demokratike ishte ajo që hapi rrugë për “këtë poshtërim” duke folur këtu për raportin e Dick Marty-t për Kosovën. Sipas Ramës, sa herë që flitet për Kosovën, “zgjohen të gjithë gogolët shqiptarë”. Fjalimi i Ramës solli reagimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili teksa Rama fliste i ka kërkuar që të ikë dhe të mos vjedhë më.

Edi Rama: Tani që do ta votoni rezolutën nuk diskutohet. Që ju nuk keni kuptuar asgjë nga gjithë ato vite që keni qenë në pushtet kjo nuk diskutohet. Që ju vazhdoni të mos kuptoni asgjë, kjo nuk diskutohet. Një gjë është e sigurt që historia të del përpara. Historia pikërisht kur ti mendon se e ke lënë pas, e gjen përpara. Siç gjen përpara ky parlament bishtin e shtrembër që vajti në asamble, PD-në dhe me urdhër nga “baca i madh” hapi rrugë për gjithë këtë poshtërim. Jo se nuk do ta ndalonte mbase, por nuk do të përfshihej. Siç bëmë ne, PS-ja e Shqipërisë. Edhe sot këtu, edhe nga ky debat që u bë se këtu sa herë që flitet për Kosovën zgjohen të gjithë gogolët shqiptarë, historia ka thënë që PS-ja ka një bilanc absolut në raport me interesin kombëtar, absolut. Ndërkohë që bilanci i asaj që quhej PD dhe tani është një tufë varkash druri që vini këtu dhe ju gënjen mendja që luftoni me një anije. Oqeanin e harruat disa, tani do harroni dhe Gjilbraltarin dhe shumë shpejt do harroni dhe Adriatikun. Mbani mend fjalët e mia se mua më dalin fjalët. Vazhdoni thojini shqiptarëve që ne nuk pyesim se dinjiteti dhe sovraniteti. Cilin dinjitet dhe sovranitet mbroni ju, kur ju e keni thikën në gojë sa herë që ju duhet t’ia ngulni Kosovës? Me thikën tuaj e keni përcjellë Presidentin në detyrë të Kosovës, për në Hagë.

Sali Berisha: Boll vodhe, ik!

Edi Rama: Historia tregon që ju e furnizuat Sllobodan Millosheviçin! Jo PS, ju. A ka ikur ajo? Ajo nuk ikën kurrë se historia nuk ikën kurrë. Historia të del përpara. Del përpara dhe del e të thotë je i padëshirueshëm. “Non grata”! Mbaroi historia jote, ik tashi.

Sali Berisha:  Prit prit, po po!

Edi Rama: Çoji naftë Millosheviçit, çoje këtë dhe bëje Hashim Thaçin dhe UÇK terrorist, dhe kush i bën, në emër të kujt? Dil nga ana tjetër dhe bëj çorapin çorap, futu andej dhe ktheje Shqipërinë në pronë private dhe vjen historia përpara dhe thotë “prit o vlla se ti je i fortë shumë o bajraktar, por historia është më e fortë se ty”. Vijmë tek Dick Marty dhe del historia përpara. Si nisi kjo punë? Na paska nisur nga Kremlini. Si vajti kjo punë? Na e paska votuar këta. Si ecën kjo punë? Ja si ecën sot prapë asnjë fjalë për Dick Marty. Krenarë për luftën. Për çfarë jeni krenarë ju nëse ju nuk keni kurajo të respektoni komandantin e UÇK? Jo atje, por në rrethin e 9 të jetë Hashim Thaçi ne duhet t’i ngrihemi në këmbë sa herë i përmendet emri. Për çfarë jeni krenarë? Për bacën Adem? Hajde mbrojeni këtu dhe duke shkuar në KiE për t’i thënë ndërkombëtarëve që shqiptarët nuk bëjnë lëvizje çlirimtare për trafik organesh. Ju jeni gati të shkoni në KiE dhe të thoni që shqiptarët janë mafie, Shqipëria është mafie dhe vetëm ju do na shpëtoni. Mirëpo ndërkohë që ju përpiqeni të na shpëtoni, çfarë ndodh: “Non grata”, të padëshirueshëm. Por bëheni të padëshirueshëm, për kë? Për Sllobodanin? Jo atij i keni dhënë naftë ju? Sllobodani edhe sot rrokullohet në varr nga kënaqësia që ju ka akoma juve këtu në formë gogoli. Për çfarë? Nga kush? Nga SHBA! Dhe së shpejti vjen gjëja, op afrohet vjen te gadishulli i madh britanik, dhe pastaj do vijë këtu. Ju ça do bëni? Do luftoni për sovranitetin? Për sovranitetin e kujt? Për ta përdorur flamurin si leckë, si gjethe fiku që  të mbuloni mëkatet dhe të mbuloni organin kryesor të mëkatit që e keni në trupin tuaj. Që mos të vazhdoj me këtë çështjen e organeve, faleminderit shumë.

Pas kësaj, Sali Berisha ka shkuar në foltore për të marrë fjalën, por nuk është lejuar nga kryeparlamentarja Nikolla./tvklan.al