Pas Turqisë, takim me Mitsotakis në athinë

Në ditën e dytë të vizitës së kryeministrit në Ankara kryeministri Rama kishte një axhendë më pak të ngarkuar se ajo e ditës së parë, ku u prit në një ceremoni madhështore nga presidenti turk Erdogan.

Pas ceremonisë në Mauzoleumin Kemal Ataturk, ai zhvilloi një takim me  zv.Presidentin Fuat Oktay, në Presidencën e Industrive të Mbrojtjes, i cili e ka shoqëruar për të parë atë që turqit e cilësojnë si zemrën e industrisë së tyre ushtarake, ku mjetet e të gjitha llojeve të konceptuara e zhvilluara në vend dhe sistemet inteligjente të krijuara me burimet e brendshme, duket se e kanë impresionuar kryeministrin siç pohon dhe vetë me postimin që shoqëron këto pamje.

Por si për të gjithë vizitën zyrtare në Ankara zyra e tij e shtypit ka qenë tejet e rezervuar të japë informacione apo detaje mbi çka u diskutua në takimin e Ramës me Oktay-n.

Pas jehonës që ngjalli jo vetëm në Tiranë, pritja pompoze që iu rezervua Ramës nga Presidenti Erdogan, mësohet se kryeministri do të vizitojë nesër Athinën. E vetmja gjë që pohohet nga kabineti i tij është se nuk do të jetë një vizite zyrtare, por nuk zbulojnë asnjë pikë të axhendës së tij. Mësohet se në krye të axhendës është një takim me kryeministrin Mitsotakis.

Kjo është hera e dytë brenda pak muajsh që Rama menjëherë pas takimeve me Erdoganin ka vizituar dhe Athinën duke shtuar jo pak aludimet mediatike në një kohë që Greqia e Turqia janë dy vende që kohet e fundit kanë një marrëdhënie të tensionuar për zona ekskluzive të diskutueshme në Mesdheun lindor.

Tv Klan