Kur na ndajnë 7 muaj nga zgjedhjet e përgjithshme të Prillit 2021, Kryeministri Edi Rama është i bindur se ai dhe Partia Socialiste do të fitojnë mandatin e tretë qeverisës. Duke folur nga Vlora ku mori pjesë në aktivitetin për prezantimin e projektit për parkun e ri të Lungomares, Edi Rama tha se populli do t’i japë atë që i takon.

“Zgjedhjet ne i fitojmë si me këto si pa këto. I fitojmë se përtej shumë individëve dënglaxhinj, populli është më i mençur se secili prej nesh veç e veç. Asnjë individ nuk është populli. Askush nuk ka mandat dhe të drejtë të flasi në emër të popullit që flet kur i vjen dita dhe jam i sigurt që do flasi prapë drejt dhe do t’i japi Zotit atë që është e Zotit dhe Çezarit atë që është e Çezarit”, u shpreh Kryeministri.

Në zgjedhjet e kaluara, Rama ka kandiduar në Vlorë si deputet i zonës. Edhe në zgjedhjet e Prillit 2021, mesa duket nuk do të ketë surpriza. Kryeministri ka hedhur poshtë çdo dyshim pas zërave që kanë qarkulluar për zonën se ku do të kandidojë.

“Mos hapni llafe që unë nuk do jem në Vlorë, bëni kujdes nga çfarë dëgjoni, se çfarë nuk dëgjohet sot. Shumë i bien shkurt. Besojnë çfarë dëgjojnë pa bërë asnjë verifikim. Unë në Vlorë kam qenë edhe përpara se sa të bëhesha kryetar i Partisë Socialiste. Në Vlorë kam qenë edhe kur u bëra kryetar i Partisë Socialiste, në Vlorë jam dhe tani që jam Kryeministër, në Vlorë do jem deri sa të jem Kryeministër, në Vlorë do jem dhe pasi të mos jem më Kryeministër, madje do jem dhe më shumë se do kem më pak angazhime. Më ikën mendja kur thonë dil shiko realitetin. Këta që më thonë dil shiko realitetin nuk do arrijnë dot të bëjnë në jetën e tyre aq metra sa unë kam bërë kilometra nëpër Shqipëri, duke i rënë cep më cep Shqipërisë. E di nga rruga ku jam a ka valë a s’ka valë telefoni, saqë kur jam në makinë i them tjetrit do të marr më pak më vonë se do më ikin valët”. /tvklan.al