Takimi elektoral i kryesocialistit Edi Rama me të rinjtë e disa njësive në kryeqytet nuk kaloi pa batuta. Duket se kryeministrit i mungonte një thirrje nga kundërshtarët, të cilën tha se e përdor si hudhër.

“Po rri se e di pse nuk po mbaroj? Se dua të dëgjoj një “Rama ik”, se e kam si hudhër, por nuk po e dëgjoj. Se kur del një “Rama ik”, aty them në rregull. Ta bëjë njëri andej, bërtit, Rama ik që të qetësohemi”, tha Rama.

Por kjo solli reagimin e mbështetësve të tij, të cilët sigurisht ndryshe nga kundërshtarët politikë nuk i thonë ik, por hajde.

“Ku të vij?”, tha kryesocialisti me humor, duke shkaktuar të qeshura mes të pranishmëve.  

Në fund të gjithë të rinjve socialistë u tregoi detyrën që kanë në këto zgjedhje.

“Mos lini votë pa marrë dhe detyra juaj është shumë e thjeshtë. Në 28 ditë po bëtë edhe 8 të tjerë të shoqnisë nga të cilët 3 të lëkundur, 3 me ne po që mund t’i zërë gjumi që janë çunat në këtë rast dhe 2 nga krahu tjetër që t’i shpëtoni mos të mbyten në kënetë e keni bërë detyrën tuaj ndaj historisë”, tha Rama.

Sa i përket elektoratit, Rama tha se PS-ja ka krah vetes, shumicën e të rinjve, vajzave, grave dhe gjysmën e burrave. Gjysma tjetër e tyre tha që “nuk mbushin” duke iu referuar atyre që mbështesin opozitën.

“Fakti që ka kaq shumë vajza dhe djem votues për herë të parë që janë pranë dhe po angazhohen është një fakt shumë pozitiv. Votuesit për herë të parë, të rinjtë, gratë dhe vajzat e Shqipërisë, dy, dhe gjysmën e burrave, se gjysma tjetër janë nuk mbushin, mbaroi filmi, nuk ke çfarë i bën fare dhe ne jemi me rezultatin më të mirë ndonjëherë të PS. Këta janë zgjedhësit tanë, gratë dhe vajzat në shumicë dërrmuese, votuesit e parë në shumicë dërrmuese, gjysma e burrave”, tha Rama./tvklan.al