Gent Cakaj do të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Delegimi i detyrës i është bërë nga Kryeministri Edi Rama në aktivitetin e sotëm, ku Ditmir Bushati i kaloi stafetën kreut të qeverisë.

Pa kaluar as 24 orë pasi u betua tek Presidenti Ilir Meta edhe si ministër i Jashtëm, Kryeministri Edi Rama ia besoi këtë detyrë Gent Cakajt, i cili aktualisht mban detyrën e zv/ministrit në këtë institucion.

“Fjala më e shkurtër e jetës sime. Unë i nënshkruari Edi Rama në funksionin e Kryministrit të Republikës së Shqipërisë dhe ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, i delegoj z.Gent Cakaj, aktualisht zv/ministër, detyrën e drejtimit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të përfaqësimit brenda dhe jashtë vendit”

, tha Kryeministri Edi Rama.Pasi u refuzua nga Presidenti Ilir Meta si person i papërshtatshëm për të marrë detyrën e ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj tha se ndaj tij u hodhën akuza të padrejta, madje shtoi se u kritikua edhe për moshën.

“Pas kalimit të flakës së parë të zjarrit të pa kursyer mbi mua, ndjehem disi më i lehtësuar sesa kur më është deleguar detyra e lartë. Dhe kjo për një shkak tepër të fortë. Është një fillim i garantuar në grykën e zjarrit me akuza të pabazuara dhe paragjykimeve pa faj. 

Ndryshimi i ministrit të Jashtëm, sikurse kompetencat tek një ministër 28-vjeçar, mosha e re është dukur faj për dikë në vend që të dukej energji e re dhe frymë e re. Nuk ve në diskutim gamën e gjerë të sukseseve që kjo Ministri ka shënuar tani e 5 vite. Pavarësisht sfidave të madha dhe problemeve të pamohueshme, Shqipëria sot pa asnjë dyshim qëndron në kuotën me të lartë të përfaqësimit diplomatik .Vendi ynë është bartës i një varg nismash rajonale. Shqipëria qëndron më afër se kurrë para vendimit historik për hapjen formale të negociatave për t’u bërë pjesë e BE. Atdheu ynë është në fazën e përgatitjes për të qenë në kryesimi në OSBE.

Me energjitë e reja dhe qasjet proaktive, ne do të vazhdojmë të shtyjmë përpara rrugën drejt integrimit rajonal duke forcuar integrim e Shqipërisë. 

Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, atë të intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale të rajonit duke gjeneruar projekte të reja politike. Sikurse ka thënë Kryeministri Rama, ne duam të rrisim më tej komunikimin me faktorin shqiptar në veçanti.

Me kohën që po vjen, ne do jemi më afër tyre, sikurse dhe ata më afër nesh. Ne do jemi të përkushtuar për angazhimet tona në rajon.

Rruga e Shqipërisë për në familjen europiane kalon nëpërmjet konsolidimit në rajon. Shqipëria duhet të jetë e angazhuar për të qenë në kohë reale, 5 muajt e ardhshëm do të jenë një periudhë pune pa orar. Ministria e Jashtme do të vazhdojë punë e saj për një performancë sa më cilësore”

, tha ai.

Ministri i larguar, Ditmir Bushati mbajti fjalimin e lamtumirës si titullari që drejtoi Ministrinë e Jashtme për 6 vite.

“Jam përpjekur që trupa jonë diplomatike të përditësohet sepse kështu mund të japë kontributin e saj të pazëvendësueshëm. Shqipëria sot është një partner i besueshëm për familjen europiane. Projektuam një Shqipëri me më shumë peshë në rajon. Modernizuam shërbimet konsullore. Sfidat na kanë bërë më të fortë dhe më të qëndrueshëm”

, u shpreh Bushati.

Dhe duket se kohën e humbur në këto 5 vite si ministër i Jashtëm me shoqërinë dhe familjen, Bushati zgjodhi ta rikuperojë menjëherë pas kësaj ceremonie. Ai refuzoi ftesën e Kryeministrit për t’u larguar me të dhe doli në këmbë i shoqëruar nga stafi i tij i ngushtë nga Ministria.

Ndryshimet në Ministrinë e Jashtme u bënë konflikti i ri mes Presidencës dhe Kryeministrisë. Në vend të Bushatit, Kryeministri Rama emëroi fillimisht në këtë detyrë zv/ministrin Gent Cakaj. Por Presidenti Ilir Meta refuzoi ta dekretonte si ministër të Jashtëm, duke argumentuar se është person i papërshtatshëm për këtë post. Në një situatë të tillë, Kryeministri Rama u detyrua të merrte vetë këtë detyrë, që u dekretua pa rezerva nga Ilir Meta. Vetëm një ditë më parë, Kryeministri Edi Rama u betua te Presidenti edhe si ministër i Jashtëm, detyrë të cilën tashmë e delegoi tek Gent Cakaj. 

/tvklan.al