Kryeministri Rama pa nga afër investimin në godinën e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor, që i hap rrugë shërbimit online. “Avantazh në luftën me ryshfetin”, e quajti Rama mënyrën e re të punës që shmang kontaktet me punonjësit.

Akuzave të opozitës se nën qeverisjen e tij vendi është përfshirë në korrupsion, Kryeministri Rama i dha përgjigje nga Shkodra, ku pa nga afër godinën e re të Drejtorisë së Shërbimit të transportit Rrugor. Një investim që sikundër tha, tashmë përtej fasadës së re ofron shërbim online duke i dhënë fund ryshfetit të ngritur në sistem nën qeverisjen e demokratëve.

“Ky ishte një han me 7 porta, edhe këtu dihej që s’merrje dot një shërbim pa paguar lekë, sot është komplet ndryshe. Nuk po them që është eliminuar 100%, se s’mund ta them as këtu as gjëkundi, por është komplet ndryshe. Konsiderohej luks një mjedis ku njeriu hyn dhe ndihet njeri. Stallat që kishin i konsideronin të mjaftueshme për njerëzit”.

Pa thumbuar nuk la as kreun e opozitës dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, që sipas tij, kanë shtuar së fundmi sulmet ndaj Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor.

“Po të ishte se fasada nuk ka rëndësi, Luli nuk duhet të krihej. Si mund të jetë një rumpallë që jepeshin patentat si testera partie. LSI patentat i kishte testera partie”.

Në një tjetër inspektim, nga Malësia e Madhe ku pa punimet në ujësjellësin e kësaj bashkie Kryeministri premtoi se falë investimeve, qytetarët shqiptarë do të kenë ujë të pijshëm në rubinetat e tyre 24 orë në ditë brenda vitit që vjen.

“Brenda vitit të ardhshëm vjen uji 24 orë dhe Tirana që është rritur në mënyrë eksponensiale ka një përmirësim”.

Kreu i qeverisë ishte edhe në Tamarë të Malësisë së Madhe, në një fabrikë agropërpunuese, e cila ka përfituar nga programi i rilindjes urbane përmes Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural.

Tv Klan