Edhe për Kishën Katolike Shën Piu X në Elbasan merr fund problemi i pronësinë mbi tokën, që rrezikoi deri edhe rrënimin e saj. Certifikata e pronësisë i është dorëzuar sot kishës nga vetë Kryeministri Edi Rama. Kisha Shën Piu X nuk është i vetmi institucion i kultit që vuan nga kjo problematikë, për të cilën qeveria shqiptare ka nisur një proces për ta zgjidhur përfundimisht.   

“Më vjen shumë mirë që sot ne i japim fund një kalvari shumë të gjatë, një kalvari absurd dhe të dhimbshëm për komunitetin katolik dhe për Kishën Katolike shqiptare, e cila, pasi kaloi përgjatë flakëve të ferrit të diktaturës, u desh të ndeshej për çerekshekulli me flakët e ferrit të administratës. Praktikisht, siç edhe e dini, u kërcënua seriozisht në ekzistencën e saj këtu në Elbasan dhe më vjen mirë që, përfundimisht, përgjithmonë, nga sot kisha do disponojë pronën e saj të regjistruar dhe të patundur dhe të patundshme më,”

u shpreh Kryeministri.

Kryeministri shtoi se qeveria është e angazhuar t’i japë fund problemeve me pronësinë të gjithë institucioneve e kultit në vend. “Ne, për fat të keq, trashëguam një situatë apokaliptike për pronën e komuniteteve fetare dhe prej disa vitesh jemi angazhuar në dhënien e titujve të pronësisë, duke legalizuar godina, kisha, apo xhami të ndërtuara, të rindërtuara nga hiri prej besimtarëve, prej komuniteteve, prej individëve bujarë dhe në të njëjtën kohë duke bërë regjistrimin vullnetar të pronësisë së tyre. Ka ende për të bërë, por besoj që tanimë jemi më afër fundit sesa fillimit shumë të ngatërruar të kësaj historie,” deklaroi Rama.

Nunci Apostolik në Shqipëri, Charles John Broën i ka shprehur Kryeministrit Edi Rama mirënjohjen e veçantë për mbështetjen edhe në emër të Papa Franceskut.

“Pikë së pari do doja t’ju thoja se sa mirënjohëse është Kisha Katolike në Elbasan për gjithçka që Kryeministri ka bërë për të na ndihmuar me çështjen tonë të pronësisë këtu. Në emër të Papa Françeskut, e falenderoj Kryeministrin për ndërhyrjen dhe mbështetjen e tij. Sot është një ditë e bukur për të qënë këtu në Elbasan, ndërsa festojmë ditën e parë të verës dhe ju falenderoj edhe njëherë për gjithçka keni bërë

”, deklaroi nunci apostolik Charles John Broën.

Kryeministri Rama uroi edhe Ditën e Verës:

“Unë jam shumë i kënaqur që urimin e Ditës së Verës ta bëj këtu, duke iu drejtuar të gjithëve ju, vajzave, djemve, grave dhe burrave që janë mbledhur në këtë oborr, ku kam dhe kënaqësinë e veçantë të jem edhe me mikun tonë, nuncin

,” u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama.

/tvklan.al