Kryeministri Edi Rama konfliktin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë e quan si një ngërç për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, por thotë se Shqipëria nuk mund të shihet si e sakrifikuar.

Në një konferencë të përbashkët me komisionierin Varhelyi, tha se nuk dihet se sa do të zgjasë konflikti mes dy vende, por sipas tij Shqipëria është duke punuar me BE-në dhe po bën detyrat e saj të shtëpisë.

Detyrat e shtëpisë të integrimit Evropian janë rrugë për të modernizuar shtetin tonë. Janë rruga për ta bërë Shqipërinë evropiane, në sistemin e saj të drejtësisë, në sistemin e shërbimeve ndaj qytetarëve. Në sistemin e përgjithshëm demokratik. Për sa kohë Komisioni Evropian na ka thënë se detyra i kemi bërë si duhet dhe i ka kërkuar Këshillit Evropian që të pranojë detyrat dhe të vijoj më tej procesi, ne jemi të qetë.

Sot fatmirësisht nuk ka kontestim për detyrat tona, as nga shtetet anëtare. Ky është një rast tjetër për të mësuar Evropën dhe rrugën për t’u futur në këtë familje të madhe. Ka një ngërç mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por ne nuk mund të themi se po sakrifikohemi. Ne këtu jemi me Bashkimin Evropian dhe po punojmë“, u shpreh Rama./tvklan.al