Rama i përgjigjet Bashës: Zoti kryetar i Partisë Demokratike…

Rama i përgjigjet Bashës: Zoti kryetar i Partisë Demokratike…

14:40 21/04/2018

Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama i ka kthyer përgjigje kreut të demokratëve Lulzim Basha, i cili më herët e akuzoi si financues të një fushate kundër deputetit gjerman, Gunther Krischbaum.

Teksa hedh poshtë akuzat e kreut të demokratëve, Rama shprehet se Krischbaum nuk futet tek dashamirësit e Partisë Socialiste e të qeverisë së tij. Megjithatë, kreu qeverisë thotë se ai ka të gjithë respektin për ndihmën e dhënë në kohën kur Reformën në Drejtësi e bllokonte vetë Basha.

“Kurrën e kurrës, jo ai, po asnjë i huaj i interesuar për Shqipërinë, nuk ka qenë e s’mund të jetë shënjestra e ndonjë sulmi të orkestruar prej meje apo prej Partisë Socialiste. Kurrë!’,

thekson Rama.

Në fund të reagimit të tij, Kryeministri i kërkon Bashës që të mos bëhet

“edhe më qesharak dhe të ndalojë të paktën deri në Qershor eksportin e baltës nëpër Europë”.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Kryeministrit Edi Rama:

Zoti kryetar i Partisë Demokratike!

Sapo paske thënë në shqip për publikun, atë që me ndihmën e “dashamirësve” të Shqipërisë, ke shkruar gjermanisht dhe dërguar dje në Berlin, për gjoja sulmin e financuar prej meje në kazanin mediatik të Tiranës, ndaj zotit Gunther Krischbaum!

Kjo është fiks ajo që ti dhe kanakarët e t’u anglisht apo gjermanfolës, bëni papushim prej kohësh, kudo e kurdoherë gjeni veshë të huajsh për të derdhur baltën tuaj. Shani e shpifni për t’i lënë Shqipërisë faturën e dëshpërimit prej humbjeve thellë e më thellë, të betejave tuaja zgjedhore. Abuzoni si s’ka më keq me miqësitë e miqtë tuaj gjithnjë e më të paktë ndërkombëtarë, duke përfituar nga dëshira e tyre për t’ju dëgjuar dhe nga pamundësia apo në ndonjë rast, edhe mosdëshira e tyre për t’i verifikuar ngarkesat e rënda të baltës suaj. E quani të kryer me nder punën tuaj krejt të pandershme ndaj këtij vendi, kur dilni prej takimeve me ta pasi i keni shastisur me zeznajën e gjuhës suaj të shthurrur. Dhe meqë mua e Partinë Socialiste nuk na mundni dot në fushën e betejave politike përpara popullit shqiptar, mundni Shqipërinë në recitimet tuaja të turpshme përpara të huajve të interesuar për ecurinë e këtij vendi drejt Europës!

I dashur Lulëzim,

Gunther Krischbaum nuk është miku im dhe as nuk hyn ndër dashamirësit e Partisë Socialiste e të qeverisë sonë! Unë nuk jam aspak dakord me opinionin e tij për punën e qeverisë sime dhe këtë ai e di shumë mirë, sepse e ka dëgjuar nga unë, sy më sy dhe jo mbrapa krahëve. Por, zotëria në fjalë ka të gjithë respektin tim për ndihmën që dha kur zotrote bllokoje Reformën në Drejtësi dhe kurrën e kurrës, jo ai po asnjë i huaj i interesuar për Shqipërinë, nuk ka qenë e s’mund të jetë shënjestra e ndonjë sulmi të orkestruar prej meje apo prej Partisë Socialiste. Kurrë!

Unë dhe Partia Socialiste, jo vetëm s’jemi marrë me asnjë lloj shkrimi për mikun tënd gjerman, po s’jemi marrë asnjëherë as me vetë jetën tënde personale a me familjarët e tu, siç ti dhe Partia jote keni bërë e bëni papushim me zë e me figurë, me jetën time personale, me familjarët e mi dhe me jetën e familjarët e plot kolegëve të tjerë.

Një fjalë e mençur e një dijetari të famshëm gjerman thotë se kush të akuzon për çka nuk ke bërë, ose e ka bërë ose është në gjendje ta bëjë vetë atë për të cilën të akuzon! Mbase zoti Krischbaum nuk e ka të mundur ta bëjë dallimin e qartë mes nesh, sepse ai është miku yt e jo imi dhe nuk e ka as kohën, ndoshta as dëshirën, të thellohet në verifikimin e gënjeshtrave të tua të mëdha për mua e për qeverinë time. Por shqiptarët e kanë shumë të qartë këtë dallim dhe prandaj besueshmëria jote në sytë e tyre vetëm bie dhe udhëheqja jote vetëm thellon humbjet e partisë që ti drejton, në rrugën e saj pa lavdi e as shpresë, nga humbja në humbje.

Sa për portalet e për kanalet, e di e gjithë Shqipëria opinionin tim dhe kam kohë që nuk u kushtoj më minuta të ditëve të mia, sepse as nuk kam mundësi t’ua korrigjoj shënjestrat e as nuk më kanë penguar dot ndonjëherë t’i fitoj betejat! Kështu që mos u bëj edhe më qesharak se ç’je bërë përpara shqiptarëve, duke bërë rolin e të indinjuarit nga balta e hedhur mbi zotin Krischbaum, ndërkohë që balta jote e përditshme është e të njëjtës cilësi mizerabël. Dhe ndaloje të paktën deri në qershor eksportin e asaj balte nëpër Europë!/tvklan.al

Delta
LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT
UKT
Doktori