Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Presidentit Ilir Meta në lidhje me çështjen e detit. Sipas kreut të qeverisë, Meta po e përdor këtë çështje për politikë. Rama thotë se nuk ka asnjë marrëveshje me Greqinë dhe kjo është arsyeja pse palët po i drejtohen gjyqit ndërkombëtar.

“Ilir Meta mirëkuptuaka ndjeshmërinë e qytetarëve mbi vendimin e autoriteteve greke për të ushtruar të Drejtën Ndërkombëtare të Detit për Greqinë dhe pasojat e mundshme që mund të paskërka ky vendim për vendin tonë! Në fakt jo, Ilir Meta vazhdon kërkon shesh për përsheshin e LSI! Vetëm të paudhët si Saliu e si Iliri dhe ndjekësit e tyre me Lulin e me Monikën në krye, mund të kërkojnë shesh për përshesh deri në det, ndërkohë që e vërteta është e qartë si drita e diellit: Shqipëria dhe Greqia nuk kanë arritur asnjë marrëveshje e prandaj do shkojnë në gjyq”, shkruan Rama në Twitter.

Sipas kreut të qeverisë, vendimi i Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje në detin Jon nuk ka lidhje me zonën e kontestuar mes dy vendeve. Rama sqaron se në atë zonë, parimi i 12 miljeve është i pamundur dhe sipas Konventës për Detin palët ose duhet të kenë marrëveshje, ose duhet që t’i drejtohen gjykatës.

“Vendimi në fjalë i Greqisë s’ka lidhje me zonën e kontestuar mes dy vendeve tona, sepse në atë zonë parimi i 12 miljeve është thjesht fizikisht i pamundur sipas Konventës aty ku ky parim nuk është e mundur të zbatohet, ose bëhet marrëveshje ose shkohet në gjykatë! Ja kështu Like”, tha Rama.

Më herët, kreu i shtetit nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se ka autorizuar plotfuqinë për negocim në emër të Shqipërisë të ekipit negociator me 13 anëtarë në bisedimet me Greqinë më 19 Mars 2018.

Por që atëherë e deri në këto momente, Meta shkruan se nuk ka marrë asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare që sugjeron ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e negociatave mes dy palëve.

“Deri në këto momente, nuk kam asnjë njoftim apo kërkesë zyrtare, që të sugjerojë ndërprerjen, pezullimin apo përfundimin e procesit të negociatave dypalëshe, nga ekipi negociator apo nga qeveria shqiptare. Për çdo zhvillim, që lidhet drejtpërdrejt apo ndikon në procesin e negociatave për delimitimin e hapësirës detare ndërmjet dy vendeve, kam kërkuar informacion shterues dhe analizë të plotë të qeverisë shqiptare, sipas përgjegjësive, që i takojnë sipas ligjit”, shkruante Meta.

/tvklan.al