“Kryerja e testeve sipas standardeve perëndimore”

Akuzave të opozitës për mungesë kapacitetesh Kryeministri Rama i dha përgjigje nga Spitali Rajonal i Vlorës.

“Shumë e rëndësishme njerëzit të dinë që ne jo vetëm që nuk kemi problem kapacitetesh, për momentin mund të kishim pasur siç kanë pasur të tjerët. Kemi akoma kapacitet 25% tek Covid 1, 2, 3. Kemi 4 bosh akoma”.

Atyre që tha se bëjnë propagandë në kampin kundërshtar u tregoi pajisjet me të cilat sipas tij shërbehej kur qeverisnin.

“Nuk janë të 1914. Janë të 2014. Dhe ky spital që shohin sot njerëzit me gjithë këto aparatura dhe me gjithë këtë sistem logjistike që është në radhë të parë njëherë sot për Covid-in njësoj si në Francë, si në Gjermani, si në Angli, si në Turqi ku shkoj”.

Pandemia ishte kryefjala e kryesocialistit edhe në takimin partiak “Deputeti që duam”, mbajtur në Vlorë, ku edhe njëherë theksoi se bërja e më shumë testeve ashtu siç kërkon opozita nuk e ndal virusin. Ai tha se gjithë sistemi ynë shëndetësor ofron të njëjtat kushte dhe mundësi mjekimi ashtu, si edhe në shumë vende të tjera të botës.

Për Ramën opozita flet për një realitet që nuk ekziston, pasi ka varur shpresat për të ardhur në pushtet vetëm tek Covid. Në fjalën e tij ai nuk la pas sulmuar edhe kreun e shtetit, për të cilin tha se ai ëndërron konflikt me shumicën qeverisëse për interes të ish-partisë së tij.

Duke u ndalur tek procesi i përzgjedhjes së ekipit me të cilin PS do të konkurrojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Rama e konsideroi atë një mundësi të shkëlqyer për këdo të ri dhe të re që do të japë kontributin e vet, ndërsa për opozitën tha se është provuar se nuk mund të bëj asgjë për zhvillimin e vendit.

Tv Klan