“Meta t’i harrojë listat e hapura që ushtrojnë presion mbi njerëzit”

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të hënë në seancën plenare ku pritet të votohet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor se do të rrëzohet “karteli i partive”. Sipas Ramës, koalicionet me formulën e vjetër janë turp. Ai u shpreh se PS-ja nuk e ka shpikur modelin që ka prezantuar për listat e hapura. Sa i përket këtyre të fundit, Rama bëri një krahasim me futbollin.

“Duhet të kapërceni një hendek të madh ju për të marrë votat. Nuk merrni vota as me lista të mbyllura as të hapura as me lista të shqyera për një arsye të thjeshtë se kujtoni se populli është budalla. Listat janë të hapura. Do të rrëzojmë sot një shpikje që është karteli i partive në të ashtuquajtura koalicione ku votat i merr njëri dhe i kalojnë tjetrit pa pikë turpi. Sa i përket listave kush kalon do duhet të zgjidhet. Patjetër që PS nuk është as kompani fitimprurëse dhe nuk është as PD-ja. Nuk është as një furgon i shpikur kap ça të kapësh nuk është as treg mallrash si kartelet e koalicioneve të PD-së. PS ka të drejtë të rendisë në listë skuadrën e vet nga portieri te sulmuesi, bashkë me rezervat dhe çdo rezervë që merr votat futet në fushë. Çdo lojtar që është në fushë dhe nuk merr votat del nga fusha”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se Presidenti Ilir Meta do lista të hapura me formulën që ushtrojnë presion mbi popullin. Kreu i qeverisë pati edhe një përgjigje për Presidentin Meta, mbi deklaratat që ky i fundit bëri gjatë një konference ditën e sotme.

“Lista të hapura që nën formulën e hapjes ndjellin llumin, paranë e zezë, forcat që ushtrojnë presion mbi komunitetet për t’u turrur si çakej nëpër zona t’i harroni ju, kushdo tjetër, t’i harrojë edhe Ilir Meta. Ilir Meta që del dhe flet në emër të Kushtetutës, në emër të shqiptarëve në një gjuhë që mbase i shkon me viktimat e OFL-së, por jo me PS-në deputetë e PS-së dhe popullin shqiptar. Si? Në çfarë mënyre, me cilat mjete të dhunshme apo me ato armët që do rrëmbeheshin në 2017-n”, tha Rama.

/tvklan.al