“Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol”. Është ky qëndrimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili me anë të një postimi në rrjetet sociale iu drejtua me një apel kontrollorëve të cilët janë futur në grevë urie.

“Apel për kontrollorët e Rinasit: Ndahuni nga ata që ju futën në këtë lojë të çmendur me zjarrin! Braktisini në rrugën e tyre qorre organizatorët e kallzuar penalisht! Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol. Koha e Rrumpallës ka vdekur dhe nuk kthehet!”, shkruajti Rama në një postim në Twitter.

Më herët, Ministrja Belinda Balluku i bëri gjithashtu thirrje kontrollorëve që t’i kthehen detyrës, në të kundërt ajo paralajmëroi nxjerrjen e tyre nga policia, nga godina e AlbControl. Ministrja njoftoi gjithashtu dërgimin e Forcave të Armatosura, që morën në ruajtje ndërtesën në fjalë./tvklan.al