Për të argumentuar se sa e pakuptimtë është qasja e qeverisë së Britanisë së Madhe ndaj pandemisë së COVID-19, politikani britanik Alaister Campbell përdori një mesazh që sipas tij ia ka dërguar Kryeministri shqiptar Edi Rama.

Këtë, ish-Sekretari për mediat i Tony Blair kur ky i fundit ishte Kryeministër, e tha në një intervistë për radion publike BBC, ku sipas mediave britanike u shpreh: “Më shkruajti sot një mik i imi, Kryeministri i Shqipërisë, i cili në mesazh shkruante: “Çfarë dreqin po ndodh? A e kupton ai çfarë është duke bërë”?

Campbell akuzoi Kryeministrin Johnson për dështim në menaxhimin e krizës së pandemisë, teksa Britania e Madhe ka aktualisht ndër ritmet më të larta në botë të përhapjes së COVID-19. Ai tha se situatën e kanë menaxhuar më mirë se Britania e Madhe edhe Greqia e Italia.

Në intervistë, Campbell u shpreh se Johnson nuk e mori seriozisht që në fillim rrezikun që i kanosej sistemit shëndetësor, duke u bërë vendi i fundit në Europë që aplikoi masat bllokuese për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Kjo sipas tij, ka bërë që sot Britania të jetë e dyta në botë për nga numri i viktimave dhe e katërta për nga shifra e të prekurve.

Tv Klan