Kryeministri Edi Rama ka reaguar të premten pas sulmeve të shumta në lidhje me ngjarjet e së enjtes në Bularat të Gjirokastrës, ku u varros trupi i Kostandino Kaçifas, i cili u vra në shkëmbim zjarri me forcat RENEA.

Sipas kokave të përndezura të politikës greke e kazanëve të atjeshëm, dje i paskam hedhur benzinë zjarrit, ndërsa sipas Kadrinjve tanë politikë e mediatikë paskam pranuar në heshtje përdhosjen e vendit! S’ka më mirë se sa i sulmuar nga dy palë qirie Kadrinj që s’i duhen dreqit.

Në një replikë me qytetarët në rrjetin e tij social Facebook, Rama i konsideroi një ditë më parë qenie të mjera ekstremistët grekë, të cilët sipas tij, nuk mund të përfaqësojnë një shtet si Greqia.

“Mëso të shkruash shqip njëherë zotrote, se patriotizmi nuk është të urresh tjetrin e gjuhën e tij, po të duash vendin e gjuhën tënde dhe mos e përdor termin “greku”, se është po kaq e neveritshme sa kur të pagdhendurit si puna jote në anën tjetër, thonë “shqiptari”! Minoriteti grek, njerëzit e mirë të minoritetit e të Bularatit, nuk janë “greku”, po janë qytetarë të respektuar e të pazevendësueshëm të Shqipërisë. 

E ti që as emrin s’merret vesh si e ke, rri pa merak se Shqipëria as nuk merret, as nuk cënonet e as nuk trishtohet nga ca të pagdhendur, që jetojnë si hiena e këndojnë si korba! Janë qenie të mjera që përdhosin të vdekurin që medemek respektojnë dhe ulin dinjitetin e flamurit të kombit të tyre – një komb që i ka dhënë shumë njerëzimit; një popull që s’ka qenë e s’mund të jetë kurrë armiku ynë; një vend ku shqiptarët kanë gjetur strehë, njësoj siç kanë gjetur grekët strehë tek ne dhe që edhe ai, si çdo vend, ka taksiratin të ketë derrat e gomerët e vet”

, iu përgjigj të enjten Kryeministri një qytetari në Facebook. 

/tvklan.al